Inceneratori i Fierit, Lefter Koka dhe Alqi Bllako përfitojnë gjykim të shkurtuar!

29 May 2023, 13:28Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Inceneratori i Fierit, Lefter Koka dhe Alqi Bllako përfitojnë gjykim

Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar për ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Kokën dhe ish-deputetin socialist, Alqi Bllako.

Kërkesa për gjykim të shkurtuar është pranuar edhe për 16 të tjerë të dyshuar si të përfshirë në aferën e inceneratorit të Fierit.

Për të pandehurit Etleva Kondi, Arenc Myrtezani dhe Giussepe Chiafaglione procesi u veçua, pasi do të vijojë me procedurën e gjykimit të zakonshëm.

Kujtojmë se, pak ditë më parë, Gjykata e Posaçme vendosi të kalojë për gjykim dosjen ndaj 19 të akuzuarve për aferën e inceneratorit të Fierit, mes të cilëve, ministri i Mjedisit, Lefter Koka dhe ish-deputeti i PS-së, Alqi Bllako.

Kalimi i dosjes në gjyq u parapri nga një rikualifikim i akuzave për disa nga të pandehurit, duke iu lehtësuar pozitën penale, pasi për akuzat e reja, Kodi Penal parashikon marzhe më të buta dënimi.

Për ish-deputetin Alqi Bllako, gjykata urdhëroi SPAK-un të ndryshonte akuzën për “korrupsion të funksionarëve të lartë shtetërorë” ndaj tij në “korrupsion të personave që ushtrojnë funksione publike”.

Akuzat u zbutën edhe për ish-zv/presidentin e FSHF, ArbenDervishaj, ish-mbikëqyrës i punimeve të shoqërisë konçensionare.

Gjykata rrëzoi akuzat e “shpërdorimit të detyrës” dhe “korrupsionit ndaj funksionarëve publikë” dhe vlerësoi se Dervishaj duhet të gjykohet për “falsifikim të dokumenteve” dhe “korrupsion pasiv në sektorin privat”.

Gjykata pushoi çështjen për dy prej të akuzuarve, për Enver Sheshin, i cili ndërroi jetë gjatë hetimit, si edhe për Robert Shabanin, që ishte dënuar me herët nga një gjykatë për të njëjtin fakt penal.


Video