Përkrahu disa kriminelë, AMP pezullon nga detyra një efektiv policie në Elbasan!

13 March 2026, 14:55Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Përkrahu disa kriminelë, AMP pezullon nga detyra një efektiv

Një efektiv policie në Elbasan është pezulluar nga detyra pasi akuzohet për shpërdorim detyre dhe përkrahje të autorit në krim.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në Elbasan ka ekzekutuar vendimin e dhënë nga Gjykata dhe ka pezulluar nga detyra inspektorin me inicialet E.K, me detyrë oficer i Patrullës së Përgjithshme në Policinë e Elbasanit.

Po ashtu, gjykata ka dhënë ndaj tij edhe masën e ndalimit të daljes jashtë vendit dhe detyrimin për t’u paraqitur në policinë gjyqësore.

Sipas AMP, nga hetimet nga rezultuar se punonjësi i policisë duke shpërdoruar detyrën ka përkrahur persona me precedent penal në aktivitetin e tyre të kundraligjshëm.

“Caktimi i masave të sigurisë u bë i mundur në kuadër të procedimit penal të vitin 2025, ku nga hetimet e zhvilluara me metoda speciale ka rezultuar se punonjësi i policisë duke shpërdoruar detyrën ka përkrahur persona me precedent penal në aktivitetin e tyre të kundraligjshëm.”, njofton AMP.

Njoftimi i AMP:

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan – Korçë) ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, e cila ka caktuar masat e sigurisë me karakter ndalues “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga nenet 233, 234 dhe 242 i Kodit të Pr. Penale, ndaj punonjësit të policisë;

Inspektor E. K., me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme pranë DVP Elbasan, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Përkrahje e autorit në krim” parashikuar nga nenet 248 dhe 302 i Kodit Penal.

Caktimi i masave të sigurisë u bë i mundur në kuadër të procedimit penal të vitin 2025, ku nga hetimet e zhvilluara me metoda speciale ka rezultuar se punonjësi i policisë duke shpërdoruar detyrën ka përkrahur persona me precedent penal në aktivitetin e tyre të kundraligjshëm.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie të kundraligjshme si dhe identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë.

AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090, ose duke dërguar Email në adresën [email protected].


Video