Gjykata e Dibrës ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg pa afat” për dy vëllezërit Klodjan dhe Klement Kruca, të cilët akuzohen për vrasjen e Artur Lleshit, ngjarje e ndodhur në vitin 2018 në Bulqizë.
Dy vëllezërit u arrestuan një ditë më parë nga Policia në Gjirokastër, në banesën e të cilëve u gjetën armë zjarri dhe municion luftarak.
Deklarata tronditëse vjen nga Lulëzim Lleshi, vëllai i Artur Lleshit, që u gjet i vrarë në vitin 2019 në një tunel, ndërsa ai lëshon akuza të forta për ish-gruan dhe ish-kunatën.
Në një rrëfim për News24, Lleshi, ka reaguar pas arrestimit të dy kushërinjve të tij, që dyshohet se kanë gisht në zhdukjen edhe vrasjen e vëllait të tij.
Madje ai thotë se dy vëllezërit binjakë, Klodian dhe Klement Krusa, iu morën gratë atij dhe vëllait të tij të ndjerë.
“Në 2018 erdhi vëllai që ishte emigrant në Maqedoni. Të nesërmen humbi vëllai. Piu kafe me kushërinjtë, dhe raki. Ishte mbrëmë. Këta që janë arrestuar janë Klement dhe Klodian Krosa. Me këta piu kafe te shtëpia e vëllait. Kanë ndenjur deri në orët e vona. Kisha shkuar dhe nënën time te shtëpia e vëllait. Kur i ngrita në mëngjes, erdhën këta dy kushërinjtë në mëngjes dhe thanë; hajde pimë kafe te vëllai. Kur shkuam aty ajo tha; burri ka ikur në Gostivar. Kam kërkuar gati 1 vit në Maqedoni, dhe pas 1 muajsh u gjet në tunelin e Gurëz, i vrarë me një plumb. Dyshimet i kam në familjen time. Duhet të arrestohen gratë në radhë të parë. Duhet të arrestohet ish-bashkëshortja ime dhe ish-kunata ime, se ajo ka humbur gjurmët. Unë i kam kushërinj nga nëna ata. Njëri ka marrë gruan time, tjetri kunatën. Ata u zhduken sapo u zhduk vëllai im. Dyshimet e para i kam te gratë. Ato e dinë se çfarë ka ndodhur në shtëpinë e vëllait tim. Ata vinin si kushërinj në shtëpi. Ata vranë vëllanë, na morën dhe gratë. Dy vëllezërit morën ish-gruan time dhe ish-kunatën time. Ajo po të ishte e drejtë, do të kishte kërkuar për gjurmët e vëllait tim. Ato e dinë, të shtrëngohen nga policia. Ish-gruaja ime iku në Gjirokastër me Klodian Krosën në 1 prill të 2019-ës. Ish-kunata jetonte me qira në Bulqizë, me Klementin. Më thoshin njerëzit që ato kanë marrëdhënie me gratë tuaja”, tha ai.
Ngjarja u zbulua në dhjetor të 2018-ës, ku trupi i pajetë i 31-vjeçarit Artur Lleshi, u zbulua i vrarë me 3 plumba në një tunel në fshatin Gjuras të Bulqizës, 9 muaj pasi ishte zhdukur pa lënë gjurmë.
Prokuroria e Dibrës dhe Policia ende nuk e kanë zbardhur ngjarjen, ndërkohë që familjarë të viktimës kanë deklaruar asokohe se ka dyshime të forta që vrasja të ketë qënë e mirëorganizuar me bashkëpunim të personave të afërt me familjen.