
Emisioni “Stop” në Tv Klan transmetoi këtë të martë denoncimin e një nëne të divorcuar që nuk ishte pranuar në policinë e burgjeve pasi komisariati i Divjakës i kishte dhënë një vlerësim negativ.
Emisioni ka publikuar SMS mes saj dhe shefit të seksionit të krimeve Lorenc Braho që “i kërkon t’i prezantojë ndonjë shoqe”.
Pas transmetimit të pamjeve Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano ka pezulluar menjëherë Brahon nga detyra.
Ndaj tij ka nisur edhe një procedurë disiplinore “për shkelje të rëndë”.
“Policia e Shtetit falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë raste të abuzimit me detyrën apo sjellje të pahijshme të punonjësve të Policisë dhe i inkurajon që të vijojnë të denoncojnë çdo rast abuziv që mund të kryejnë punonjës policie, sepse Policia e Shtetit është e vendosur për të larguar nga radhët e saj çdo abuzues me detyrën dhe besimin e qytetarëve”, njofton Policia e Shtetit.