
"Ku është vajza!" Këto kanë qenë fjalët e para të Vilma Konomit pas daljes nga reanimacioni Ajo u përplas mesditën e djeshme nga mjeti që drejtohej nga Ajas Sulejmasni, teksa po ecte në vijat e bardha së bashku me bashkëshortin e saj, Arjan Konomi dhe fëmijën e tyre vetëm 3 muajshe.
Lajmin e ka bërë me dije Elvis Toçi, i afërmi i familjes. Çifti ka dalë nga reanimacioni dhe gjendja e tyre shëndetësore tashmë paraqitet e stabilizuar.
Toçi tregon se Vilma ka qenë në gjendje më të rëndë, ndërsa Arjani ka patur 6 brinjë të thyera dhe ka patur mushkëritë me ujë ku mjekët janë detyruar t'ja hapin.
“Unë sapo erdha nga spitali. Të lënduarit kanë dalë nga reanimacioni. Vilma ishte më rëndë. Sot në mëngjes ka filluar të reagojë, është koshiente. Por sigurisht është e përhumbur, por ka shumë thyerje. Arjani gjithashtu ka 6 brinjë dhe legenin të thyer. E para ishte jeta, këtë fazë e kaluan, edhe pse doktorët nuk e kanë thënë fjalën e fundit. Ne shpresojmë që ata ia kanë hedhur. Fëmija është gërvishtur te syri, por ende nuk është formuar sepse është vetëm 3 muajsh.
Arjani pati mushkëritë me ujë, u detyruan të hapnin mushkëritë, Vilma nuk ishte koshiente. Pyetja e parë që bëri ishte për vajzën: Ku është vajza? Çifti është tani në një dhomë, dhe tani kanë vendosur edhe një krevat për vajzën. Ajo do të jetë një forcë e madhe që ata të bëhen mirën. Në këtë rast nuk mund të thuash nuk kishte rrugë me sinjalistikë. Aty ishin të gjitha, semafor, vijat e bardha, të gjitha standardet. Çfarë nuk kishte? Vetëm njerëzit që kishin një armë në dorë, që në këtë rast ishte makina, që e përdorën në të gjitha parametrat e palejueshme”, tha Toçi
Ai tha se çifti kishin disa vite martuar dhe prej kohësh dëshironin që të bëheshin me një fëmijë. Toçi tregoi se Vilma Konomi ishte mjeke familje dhe udhëtonte çdo ditë për në Vorë për pacientët e saj kurse Arjani punonte në Ministrinë e Arsimit.
"Arjani është punonjës në Ministrinë e Arsimit, kurse Vilma mjeke dhe ky fëmijë erdhi si një mrekulli pas shumë vitesh martese dhe përpjekje. Imagjino të arrish gëzimin më të madh të jetës dhe të ndodhi një tragjedi. Është një familje normale si të gjithë ne, është në rrugën e vetë. Dy njerëz që punojnë me ndershmëri. Vilma punon si mjeke familje në Vorë. E bën çdo ditë vajtje ardhje. Është shumë e përkushtuar. Ne jemi shoqëri që e pranon të fortin, krimin…nuk na duket më çudi është bërë pjesë e jona. Ky rast është një kauzë që duhet të na bëjë bashkë. Makina është kthyer në një armë. Një armë që po vret si në Ukrainë. Nëse ndërtojmë një shtet të fortë këta njerëz do pakësohen", u shpreh Toçi.