Kreu i ri i SPAK, zyrtari i ambasadës amerikane, ambasada e BE dhe ajo britanike kanë një mesazh për anëtarët e KLP-së

10 Dhjetor 2025, 18:23Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Foto ilustruese

Nesër do të zgjidhet kreu i ri i Strukturës së Posaçme.

Këtë zhvillim të rëndësishëm, e komentoi edhe ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë Silvio Gonzato, teksa zhvilloi një takim me anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ku u diskutuan mënyrat për të rritur efikasitetin, cilësinë dhe integritetin në sistemin e drejtësisë.

Gonzato në takim shprehu besimin se anëtarët e KLP-së do tregojnë nivel tepër të lartë përgjegjshmërie dhe do të sigurojnë, që SPAK të drejtohet nga një individ me integritet të lartë, person i pavarur, profesionist dhe i përkushtuar ndaj standardeve më të mira, që kërkon BE-ja.

Ndërkaq, një zyrtar i ambasadës amerikane në Tiranë, ka reaguar për News24 në lidhje me procesin e zgjedhjes së kreut të ri të SPAK.

Zyrtari amerikan tha se përsa i përket Prokurorisë së Posaçme (SPAK) të Shqipërisë, pavarësia dhe efektiviteti i saj janë thelbësore për mbrojtjen e sigurisë së shqiptarëve.

“SPAK është gjithashtu një partner i çmuar në luftën kundër krimit ndërkombëtar”, u shpreh zyrtari i ambasadës së SHBA-së në Tiranë.

Edhe Ambasada e Britanisë së Madhe ka reaguar për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK, proces që do të zhvillohet nesër.

Sipas njoftimit të Ambasadës Britanike në rrjetet sociale, zgjedhja e drejtuesit të SPAK është një hap i rëndësishëm në përparimin e Shqipërisë për forcimin e shtetit të së drejtës dhe luftës kundër korrupsionit.

“Zgjedhja e Drejtuesit të SPAK është një hap i rëndësishëm në përparimin e Shqipërisë për forcimin e shtetit të së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit. Është e rëndësishme që Këshilli i Lartë i Prokurorisë ta realizojë këtë proces në mënyrë të lirë, të drejtë dhe transparente.

Mbretëria e Bashkuar pret me padurim të bashkëpunojë me këdo që do të zgjidhet, për të vazhduar dhe forcuar marrëdhënien tonë të shkëlqyer”, thuhet në njoftimin e ambasadës së MB.]

Më 11 dhjetor 2025, në orën 09:00, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të nisë procesin e intervistimit të kandidatëve për postin e drejtuesit të SPAK, duke i thirrur ata sipas rendit alfabetik. Gjatë seancës, katër pretendentët Adnan Xholi, Doloreza Musabelliu, Elvin Gokaj dhe Klodian Braho — do të prezantojnë vizionin dhe programin e tyre për drejtimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Në vijim të intervistave, anëtarët e KLP-së do të kalojnë në fazën e votimit, ashtu siç parashikohet nga procedurat zyrtare, për të përzgjedhur drejtuesin e ri të strukturës më të rëndësishme antikorrupsion në vend.

Emri që do të zëvendësojë Altin Dumanin pritet të shpallet po nesër, më 11 dhjetor, ndërsa marrja zyrtare e detyrës do të ndodhë më 19 dhjetor 2025. Në këtë datë planifikohet edhe ceremonia formale e dorëzimit të kompetencave, e cila zakonisht zhvillohet përmes një daljeje publike për mediat.


Video