Vendimi i Apelit të GJKKO për "grup të strukturuar kriminal" kundërshtohet nga SPAK dhe Zarka në Gjykatën e Lartë

10 Dhjetor 2025, 15:47Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Aurel Zarka

Prokuroria e Posaçme, SPAK dhe i akuzuari prej saj për korrupsion e ndikim të paligjshëm në çështjen “Toyota Yaris”, ish-drejtuesi i Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka, kanë ushtruar rekurs në Gjykatën e Lartë kundër vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit, që prishi vendimmarrjen e Shkallës së Parë dhe e riktheu për gjykim çështjen, pasi çmoi se provat tregojnë se të pandehurit në këtë çështje, kishin vepruar në kuadrin e një grupi të strukturuar kriminal.

Prokurorët e çështjes, Altin Dumani dhe Klodian Braho u pajtuan me vendimin e Shkallës së Parë, që në aplikim të gjykimit të shkurtuar, e dënoi ish-prokurorin Aurel Zarka me 2 vjet e 8 muaj burg. Ata nuk ushtruan ankim në Apel, por ishte vetë Zarka i cili këmbënguli në pafajësi dhe e apeloi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë.

Apeli i Posaçëm shkoi më tej, duke e gjetur të gabuar cilësimin nga ana e SPAKU-t dhe tre gjyqtarëve e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, për mënyrën e bashkëpunimit të Zarkës me tre të bashkëpandehurit, e të të tjerë persona që nuk janë marrë nën hetim.  SPAK dhe Shkalla e Parë vlerësuan se bashkëpunimi ishte i thjeshtë me rrethana rënduese.

Por, sipas Gjykatës së Posaçme të Apelit, provat dhe rrethanat tregojnë qartë se jo vetëm katër të pandehurit Aurel Zarka, Erjona Daupaj, Radovan Çela dhe Astrit Vladi, kishin vepruar si grup i strukturuar kriminal.

Kolegji vlerëson se në të pestë rastet e kryerjes së veprave penale nga i pandehuri Zarka kanë bashkëpunuar respektivisht jo më pak se 3 dhe 4 persona, duke përmbushur parashikimet e pikës 4 të nenit 28 të Kodit Penal, lidhur me grupin e strukturuar kriminal.

Kjo vendimmarrje e Apelit nuk është çmuar e drejtë, si nga SPAK, ashtu dhe nga ana e Zarkës që kanë paraqitur pretendimet e tyre në Gjykatën e Lartë.

Sipas SPAK-ut, prokurori Zarka dhe personat e tjerë akuzohen se kanë ushtruar ndikim të paligjshëm në tetë çështje penale që po hetoheshin në katër prokurori të ndryshme – çështje që lidhen kryesisht me aktivitete të krimit të organizuar si pastrimi i parave apo kultivimi i narkotikëve.

Interesi kryesor i të pandehurve duket se lidhej me çështjen penale të njohur publikisht si “Toyota Yaris”, e cila u regjistrua pas bllokimit në portin e Durrësit, në qershor të vitit 2018, të 3.4 milionë eurove ‘cash’ të fshehura në dy makina të përdorura dhe të importuara nga Belgjika.

Në lidhje me ngjarjen, u arrestuan fillimisht Klevi Çani, Edi Lika dhe Alban Mollaymeri, ndërsa u akuzuan kushërinjtë Elvis Vladi dhe Alfred Vladi.

Gjashtë vjet më vonë, në vitin 2024, si rrjedhojë e të dhënave të përftuara nga aplikacioni Sky ECC, SPAK arrestoi prokurorin e Vlorës Aurel Zarka, avokatin Radovan Çela, Astrit Vladin – vëllain e Elvis Vladit – dhe shpalli në kërkim hetuesen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Eriona Daupaj.

Katër të pandehurit dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në disa raste kanë ofruar dhe premtuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim te funksionarë të drejtësisë në 8 çështje penale, përfshirë gjykimin për sekuestrimin e 3.4 milionë eurove në portin e Durrësit./BIRN


Video