
Policia e Sarandës ka arrestuar ditën e sotme 41-vjeçarin Laert Pasha, specialist i sportelit dhe arkivës në zyrat e ASHK Sarandë pasi akuzohet se kërkoi 2 mijë euro ryshfet për të bërë hipotekën e një hoteli.
“Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Sarandë, pas transmetimit në emisionin investigativ "Stop", të denoncimit të një rasti korruptiv në ASHK Sarandë, bënë ndalimin me iniciativë të shtetasit L. P., 41 vjeç, banues në Sarandë, me detyrë specialist i sportelit dhe arkivës në zyrat e ASHK Sarandë. Ky shtetas dyshohet se ka konsumuar elemente të veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike.
Materialet iu dërguan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, për hetime të mëtejshme. Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë falënderon mediat dhe qytetarët për bashkëpunimin dhe i fton ata që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie, duke iu garantuar reagim të shpejtë dhe të paanshëm”, ka njoftuar policia.