
Një 34-vjeçar i identifikuar si Alban Pashollari humbi jetën ditën e sotme në ujërat termale të Elbasanit, si pasojë e një arresti kardiak.
Një nga dëshmitaret e ngjarjes ka treguar se fillimisht kanë dëgjuar thirrjet për ndihmë, por nuk kanë zbritur poshtë.
“Kemi hyrë në dhomë e kemi dëgjuar ulërimën. Thonte tjetri ndihmë, ndihmë. Pastaj kemi dal në ballkon, skemi zbrit poshtë. Kemi pritur derisa erdhi ndihma. Na vjen shumë keq”, tha ajo.
“Dëgjuam të bërtiturën dhe dolëm të shihnim. Unë propozova që të mos afrohen se nuk guxon ta prekësh të vdekurin se të zë sherri pa ardhur mjeku e ndihma e shpejtë. Telefonuam ndihmën e shpejtë, erdhëen mjekët, konstatuan vdekjen dhe e morën. E dëgjova shokun që qante për ta ndihmuar. Ata kishin qenë bashkë, njëri e ka mbushur vaskën me ujë të nxehtë. Ne e kemi parë se ku ka qenë. E ka hequr vetë shoku nga vaska dhe e ka lënë jashtë. Ndoshta ka dashur t’i japë ndihmën e shpejtë por nuk ka ditur. Gjatë mëngjesit erdhi mjeku që na kontrolloi të gjithëve. Duhet t'i përmbahemi rregullave. Banja sa është e mirë, është e rrezikshme”, tha një tjetër.
34-vjeçari, banues në Tiranë është gjetur pranë një rezervuari të mbushur me ujë termal në gjendje të rëndë shëndetësore, pa shenja dhune.
Ngjarja ka ndodhur në një nga hotelet e kësaj zone, e cila nisi sezonin e llixhave në 1 shtator.