Kaluan afatet e paraburgimit, por Ndernjaku dhe Pjetri mbeten në burg për përfshirjen në atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoj

31 October 2024, 18:52Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kaluan afatet e paraburgimit, por Ndernjaku dhe Pjetri mbeten në burg
Atentati ndaj prokurorit Arjan Ndoj dhe Rumit të Shijakut

Genti Nderjaku është lënë me masën “arrest shtëpie” nga GJKKO, pasi ndaj tij kanë përfunduar afatet e paraburgimit për akuzat e trafikut të drogës.

Nderjaku, i akuzuar për trafik droge, dyshohet se ishte pjesë e grupit kriminal që organizoi sulmin ndaj ish prokurorit Arjan Ndoja dhe Aleksandër Lahos, i njohur si “Rrumi i Shijakut”, ku mbeti i vrarë shoferi Andi Maloku.

Për akuzat e atentatit, ai do të vijojë të qëndrojë nën masën arrest në burg.

Për këtë ngjarje janë dënuar me burgim të përjetshëm Redjan Rraja, nip i ish-deputetit Rrahman Rraja dhe me 35 vite burg Ariol Halili, ndërsa bashkëpunëtorët kanë marrë dënime më të lehta.

Njoftimi i GJKKO:

Kërkuesi Genti Nderjaku (i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Trafikimi I narkotikëve” kryer në formën e veҫantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 283/a/1 dhe 28/4 të Kodit Penal, atribuar me date 18.07.2023) me datë 28.10.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt:

“Konstatimin e humbjes së fuqisë së paraburgimit, për shkak të mbarimit të afatit të paraburgimit”. Po ashtu, kërkuesi Julian Pjetri (i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Trafikimi i narkotikëve” kryer në formën e veҫantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 283/a/1 dhe 28/4 të Kodit Penal, atribuar me datë 18.07.2023) me datë 28.10.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt:

“Shuarje e masës së sigurimit, për shkak të humbjes së fuqisë së paraburgimit”. Kërkesat e mësipërme janë bashkuar në një të vetme me vendim të ndërmjetëm, të dates 30.10.2024.

2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, bazuar në nenet 263, 1 pika “c”, 266 pika 1 të K.Pr.Penale, si dhe në vendimin Nr. 195, datë 24.07.2024 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, me vendimin Nr. 610, datë 30.10.2024, vendosi:

Konstatimin e humbjes së fuqisë së paraburgimit, konkretisht të masës së sigurimit “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale caktuar ndaj personit nën hetim Genti Gani Nderjaku, me Vendimin Nr. 308, datë 21.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe zgjatuar me vendimin Nr. 439, datë 16.07.2024 të kësaj Gjykate, për shkak të kalimit të afateve të paraburgimit gjatë hetimeve paraprake.

2. Bazuar në nenin 266 pika 1 të K.Pr.Penale caktimin ndaj personit nën hetim Genti Gani Nderjaku, të masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale.

3. Detyrohet personi nën hetim Genti Gani Nderjaku të mos largohet nga banesa e tij me adresë: ****.

4. Detyrimin e personit nën hetim Genti Gani Nderjaku, të mos komunikojë me persona të tjerë me përjashtim të atyre që bashkëjetojnë me të.

5. Zbatimi dhe mbikëqyrja e kësaj mase të bëhet nga oficerët e policisë gjyqësore që mbulojnë vendbanimin e personit nën hetim Genti Gani Nderjaku.

6. Konstatimin e humbjes së fuqisë së paraburgimit, konkretisht të masës së sigurimit “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale caktuar ndaj personit nën hetim Julian Ndue Pjetri, me Vendimin Nr. 308, datë 21.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe zgjatuar me vendimin Nr. 439, datë 16.07.2024 të kësaj Gjykate, për shkak të kalimit të afateve të paraburgimit gjatë hetimeve paraprake.

7. Bazuar në nenin 266 pika 1 të K.Pr.Penale caktimin ndaj personit nën hetim Julian Ndue Pjetri, të masës së sigurimi personal “Arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale.

8. Detyrohet personi nën hetim Julian Ndue Pjetri të mos largohet nga banesa e tij me adresë: ****.

9. Detyrimin e personit nën hetim Julian Ndue Pjetri, të mos komunikojë me persona të tjerë me përjashtim të atyre që bashkëjetojnë me të.

10. Zbatimi dhe mbikëqyrja e kësaj mase të bëhet nga oficerët e policisë gjyqësore që mbulojnë vendbanimin e personit nën hetim Julian Ndue Pjetri.

11. Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në bashkëpunim me policinë gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.

12. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në në Gjykatën e Posaҫme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.

Tiranë, më datë 30.10.2024


Video