Apeli i Gjykatës së Posaçme ka rrëzuar pafajësinë e dhënë nga Shkalla e Parë për 7 të pandehur të akuzuar për “shkelje të barazisë në tenderë” dhe “shpërdorim detyre”, duke i deklaruar fajtorë, dënuar të gjithë me nga 6 muaj burgim, po për shkak të procedurave lehtësuese ky vendim është pezulluar duke u konvertuar në shërbim prove për 1 vit.
Të pandehurit e dënuar të gjithë me nga 1 vit me kusht janë: Edlira Mehmeti, Edlira Hebo, Halit Kola, Ariana Gaci, Naze Daçi, Xhelil Demiri dhe Ylli Sevdari.
Ishte ankimimi i bërë nga ana e SPAK-ut ndaj të akuzuarve dhe vendimit të shkallës së parë, që solli ditën e sotme (31 Tetor) edhe ndryshimin e verdiktit. Dosja hetimore kishte nisur prej 18 marsit të vitit të kaluar dhe më 6 Nëntor po të vitit të kaluar u dha pafajësia.
Vendimi u mor nga treshja e gjyqtarëve Saida Dollani (kryesuese), Dhimitër Lara (anëtar), dhe Miliana Muça (anëtare).
“Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi: Ndryshimin e vendimit nr. 73, datë 06.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe shpalljen fajtorë të 7 të pandehurve”, theksohet në vendimin e GJKKO-së së Apelit.
Tre prej të dënuarve kishin akuzën e “shkeljes së barazisë në tenderë” dhe 4 atë të “shpërdorimit të detyrës”.