Para se të plagoste me 6 plumba inxhinierin e ERE, efektivi Erjon Goxhara ka zhvilluar një takim me bashkëshorten dhe nipin e tij, L.B. Shqiptarja.com zbardh detaje të reja nga ngjarja, ndërsa takimi mes tyre është zhvilluar në një qendër tregtare në periferi të Tiranës, mes debateve e tensioneve të shumta.
Në materialin hetimor të Policisë së Tiranës, evidentohet se takimi ka ndodhur mëngjesin e 19 gushtit, ndërsa rreth drekës efektivi ka plagosur 45-vjeçarin Lorenc Kosta.
Gjatë këtij takimi, në dosje thuhet se gruaja ka pranuar tradhtinë, por nuk ka pranuar që t’i kërkojë ndjesë efektivit Goxhara. Sipas saj, tradhtia ka ndodhur vetëm një herë.
Sipas dëshmisë së nipit të Goxharës ai ka tentuar ta godasë disa herë bashkëshorten e tij, por nuk është lejuar.
Në përfundim të takimit ka qenë nipi ai i cili ka shoqëruar për në banesë gruan e dajës (bashkëshorten e Erjon Goxharës), ku gjatë rrugës ajo godiste veten në fytyrë dhe në pjesë të ndryshme të trupit.
Të njëjtën ditë, Goxhara pasi përfundon këtë bisedë, zhvendoset pranë lagjes ku jetonte, dhe ka plagosur Lorenc Kostën. Në zonën e Komunës së Parisit në kryeqytet jetonte edhe Kosta.
Prokuroria referon se efektivi e ka mbajtur në vëzhgim shënjestrën e tij dhe deri në këtë fazë hetimi, ka dyshime se nuk ka patur qëllim ta vrasë. Pas plagosjes, efektivi telefonon djalin dhe takohet me të te rreth-rrotullimi i Shkozës. Të dy kanë marë një taksi dhe kanë shkuar në drejtim të Freskut. Sipas dëshmisë së djalit, kanë zbritur nga taksia kur kanë mbërritur tek Thesari i Shtetit në Dajt dhe aty dy policivë civilë kanë parë Kostën, por ai ka arritur që të largohet në vrap duke thënë “më mirë vdes se të kalbem në grup”.
Ndërkohë edhe pse i plagosur, Kosta ka marrë në telefon një koleg të punës së tij duke i treguar se e kishin qëlluar poshtë shtëpisë së tij.
Në bisedën e shkurtuar në telefon ai ka treguar se e kishte ndaluar në rrugë Erjon Goxhara, duke i thënë se do sqaronte diçka.