Policët italianë që kanë ardhur në Lezhë për të shërbyer në qendrat e pritjes dhe kampet e emigrantëve, duket se janë të pakënaqur me trajtimin e diferencuar që po u bën qeveria e vendit të tyre.
Ata kanë shprehur zemëratën për mediat italiane.
"Lart në kodër, një grusht policësh të burgjeve të izoluar nga bota në parafabrika. Poshtë buzë detit, të gjithë të tjerët në hotelet me pesë yje: karabinierë, policë dhe financierë, si në një udhëtim të përhershëm shkollor", shkruan Davide Carlucci për "La Repubblica".
Ai thotë se aktualisht në kampin e Gjadrit janë njëmbëdhjetë policë italianë që qëndrojnë të izoluar në një vend të shkretë, ku aktualisht nuk ka asnjë emigrantë.
"Të mbyllur në pjesën e fundit të një qendre ndalimi dhe riatdhesimi për emigrantët që është më bosh dhe e shkretë se kurrë, rojet përreth tyre nuk kanë asgjë. Aktualisht janë njëmbëdhjetë prej tyre që jetojnë kështu", thotë media italiane, duke evidentuar se me rregull duhet të ishin 15 roje, por disa kanë marrë leje për t'u kthyer në Itali.
Davide Carlucci shkruan se për të fjetur, rojet ngjiten në një shkallë metalike gri, e ngjashme me një shkallë emergjence dhe për të vrarë kohën, në dhomën e relaksimit kanë vetëm një televizor, si në disa spitale.
"Për të dalë për shëtitje? Dhe ku do shkoni? Rreth një shkretëtirë me pemë, shegë dhe dele. Dhe një kantier pafund nga ku hyjnë e dalin kamionë për zgjerimin e qendrës së fantazmave. Më së shumti mund të arrish në fshat, i cili ka një lokal të vogël, një dyqan ushqimor të vogël, një zarzavate me qepë që pushtojnë trotuarin: jeta e natës është e gjitha këtu, të moshuar që kalojnë ditët duke pirë birrë dhe duke pirë duhan. Dhe për t'u bërtitur pushtetarëve", shkruan ai.
Kjo është njëra anë e medaljes, sepse tjetra është ajo që këta roje të Gjadrit kanë zili, kolegët e tyre karabinierë qëndrojnë në një resort me 5 Yje në Shëngjin dhe kanë mundësi të bëjnë shumë gjëra, krejt të lirë.
"Zili e madhe për policët, karabinierët dhe financierët. Janë poshtë në Shëngjin, ku mund të shkosh ende në detin e Ranës së Hedhun, një nga zonat më të bukura të dunave në Shqipëri. Shumica flenë në hotelin ekzekutiv Rafaelo me pesë yje: aty keni një mëngjes të shkëlqyer dhe një darkë të mirë gjithashtu. Nëse doni të ndryshoni, keni vetëm zgjedhjen: Goga Fish, ose restorantin e detit Detari, ose vende të tjera ku mund të hani një peshk të mirë për njëzet euro. Megjithatë, nëse qëndroni në hotel, televizori është në çdo dhomë. Në mëngjes mund të bëni një zhytje në pishinë. Jashtë ka taksi, 5 ose 10 euro dhe mbërrin në Lezhë, ku ka edhe disa klube mbrëmjesh, madje edhe klub nate", vazhdon shkrimi.
Qendra e pritjes në Shëngjin dhe kampi në Gjadër janë aktualisht bosh, sepse aty nuk ka asnjë emigrant.
Disa që erdhën javë më parë, u kthyen pas në Itali me kërkesë të Gjykatës së Romës, ndërsa javën e ardhshme raportohet se anija "Libra" do të sjellë rreth 70 emigrantë, ndoshta dhe më shumë.