
Emisioni “Inside Story” ka publikuar sonte një investigim për operacionin ndërkombëtar “Shpirti” që shkatërroi një grup organizatash shqiptare të lidhura me mafian italiane në trafikimin e kanabisit.
Në dokumentet e anti-drogës italiane zbulohet edhe dëshmia e panjohur e të penduarit që nxjerr emrin e prokurorit të SPAK-ut Eneid Nakuçi. Por pavarësisht këtij episodi, prokurori arriti të kalojë procesin e Vettingut, me gjithë problematikat e konstatuara.
***
Pyetja që ngrihet natyrshëm është, pse prokurori i Krimeve të rënda nuk është marrë në pyetje pas dëshmisë së Mariglen Shushës. Faktet përputhen me dëshminë. E vërteta është se dosja që kishte në dorë Nakuçi për trafikantët e Vlorës ishte pushuar. Emri i tij, nuk figuron as në dosjen shqiptare. Gjithçka është kaluar në heshtje. Pavarësisht këtij episodi, prokurori arriti të kalojë procesin e Vettingut, me gjithë problematikat e konstatuara.
Çështja në fjalë, nuk u diskutua farë gjatë procesit pasi askush veç kolegëve të tij nuk kishin informacion. Në procesverbalin e vendimit përfundimtar që e konfirmoi në detyrë, bie në sy fakti se është analizuar një dosje e ngjashme. Vëzhguesi ndërkombëtar Theo Jacobs ka vënë në dyshim integritetin e Nakuçit pasi më herët, ai kishte pushuar një hetim për trafik droge që i përkiste vitit 2013. Pra, një precedent që ripërsëritet.
“Janë bërë gabime thelbësore dhe serioze nga subjekti gjatë kryerjes së funksioneve si prokuror i çështjes. Nga analiza e të gjithë praktikës në dispozicion, pavarësisht nga informacioni i saktë, i detajuar dhe i besueshëm i departamentit të antinarkotikëve dhe trafiqeve në Drejtorinë Rajonale të Policisë Vlorë, pasi subjekti ka siguruar dhe emrat e individëve të dyshuar, numrat e tyre të telefonit, të dhënat nga TIMS-i dhe fotot, si dhe rekordet e tyre kriminale të përditësuara, ka regjistruar procedimin pa emra”, thuhet në vendimin e Vettingut.
Më tej, në arsyetimin e dhënë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit thekson se nuk janë kryer përgjime ndaj dy individëve të dyshuar të çështjes bazuar në informacionet e sektorit të anti-narkotikëve. Gjatë procesit të Vettingut, komisioni ka administruar edhe një ankesë nga një qytetare e cila është përfshirë në aksident me prokurorin. Fjala është për një episod të datës 27 Tetor 2016. Qytetarja ka deklaruar se teksa udhëtonte me automjetin e saj, është përplasur nga një mjet tjetër që rezultoi se drejtohej nga prokurori Ened Nakuçi. Referuar denoncimit, prokurori ishte larguar nga vendngjarja. Këtë fakt, e kishte pranuar edhe vetë Nakuçi që ishte rikthyer në vendngjarje. Ai kishte mbajtur qëndrimin se në momentin e parë nuk kishte kuptuar kontaktin fizik dhe dëmtimet e mjetit tjetër.
Pavarësisht këtyre episodeve, prokurori i SPAK arriti të kalojë Vettingun pa asnjë problem. Oponenca e vetme ishte e vëzhguesit ndërkombëtar që theksoi problematikën me pushimin e dosjes së drogës. Një precedent që dyshohet se u përsërit me grupin e Lanit të Vlorës, një organizatë e fuqishme që u godit pas aksionit ndërkombëtar “Shpirti”.