
Shqipëria disa ditë më parë ra për herë të dytë pre e sulmeve kibernetike nga Irani. 'Hackerat kanë sulmuar sistemin TIMS', ishte lajmi që e dha vetë kryeministri Edi Rama, i cili tha se po punojmë me partnerët për të mbrojtur sistemet tona dixhitale.
Kujtojmë se sulmi kibernetik shkaktoi radhë në të gjitha pikat kufitare në vend, si edhe në aeroportin e Rinasit, por nuk u anulua asnjë fluturim.
Gazeta iraniane në një artikull të saj shkruan se, qeveria e Iranit i ka ofruar ndihmë Shqipërisë për të hetuar dy sulme kibernetike, për të cilat qeveria shqiptare dhe partnerët ndërkombëtarë akuzojnë pikërisht Iranin se qëndron pas tyre.
Qendra Kombëtare Iraniane e Hapësirës Kibernetike thotë se është e gatshme të dërgojë në Tiranë një ekip specialistësh që do të hetojnë sulmet në fjalë.
“Pretendimi i Shqipërisë për të akuzuar Iranin për kryerjen e sulmeve kibernetike është një gënjeshtër e pastër, pasi vetë Republika Islamike e Iranit është ndër viktimat e sulmeve të tilla, të cilat janë kryer kundër rrjetit të saj të shpërndarjes së karburanteve, terminalit të porteve, sistemit të metrosë dhe objekteve bërthamore”, thuhet në deklaratë.
Shqipëria vendosi të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me Iranin për shkak të sulmit kibernetik, me argumentin se ishin arritur prova të mjaftueshme që pas sulmit qëndronin grupe hakerash të sponsorizuar nga qeveria iraniane.
Shqipëria u bë kështu vendi i parë në botë që ndërpret marrëdhëniet diplomatike për shkak të një sulmi kibernetik. Irani e quajti vendimin e Shqipërisë për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike si “të pabazuar” dhe “të paargumentuar”./Iranintl.com