Gjykata e Posaçme lë në burg ish-ministrin Ilir Beqaj

6 Korrik 2024, 18:44Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ilir Beqaj

Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masën arrest me burg për ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj. E njëjta masë, ajo e arrestit me burg u dha edhe për Ermal Kurtulajn. Për Elton Marinin dhe Alfred Nikollin gjykata caktoi masën arrest në shtëpi, ndërsa në detyrim paraqitje u lanë Bledar Leka dhe Bjona Zijaj.

Në seancën e cila vijonte prej orës 12:30,  Beqaj mohoi të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij. Ai madje kërkoi masë më të butë sigurie duke ofruar garanci pasurore me vlerë 50 mijë euro.

Nuk janë shkelur rregullat e BE që njihen si prag në gjuhën juridike dhe s’është përcaktuar cili nen është shkelur nga zoti Beqaj. Nuk është lëshuar asnjë faturë fiktive, ish-ministri nuk ka lidhje me restorantin”, ishin pretendimet e palës mbrojtje.

Në seancë, i pranishëm ishte edhe kreu i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani, ndërkohë që verdikti u dha nga gjyqtarja Rudina Palloi.

Ilir Beqaj u arrestua dy ditë më parë së bashku me dy bashkëpunëtorë pasi akuzohen për abuzim me fondet e BE-së gjatë kohës që ka qenë drejtori i Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC).

Çështja për abuzimet me fondet e BE-së u zbulua nga hetimi i koncesionit të Check-up.

SPAK thotë se ka gjetur prova se Ilir Beqaj, në bashkëpunim me Ermal Kurtulajn, urdhëronte procedura fiktive prokurorimi, me vlerë qindra mijëra Euro, kompanive të ndryshme për shërbime të pakryera dhe përfitues fundor të ishte pikërisht vetë ish-ministri përmes restorant “Gzona” në Tiranë.


Video