Çfarë fshihet pas mbylljes së "Mehmet Akif"/ Godinën e bleu Sinan Idrizi, e reja nuk plotëson kushtet

23 Shtator 2022, 14:57Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Qeveria shqiptare vendosi dje me një vendim të Këshillit të Ministrave që të mbyllë veprimtarinë e gjimnazit të vajzave “Mehmet Akif” në Tiranë. Arsyet nuk bëheshin të ditura, por institucioni privat arsimor kërkohej që të pajiste nxënësit me dokumentacionin e nevojshëm.

Ministrja e Arsimit Evis Kushi, në një reagim publik paraditen e kësaj të premteje, tregoi se vendimi për mbylljen e shkollës jopublike “Mehmet Akif Ersoy” ishte marrë pas një sërë shkeljeve të legjislacionit në fuqi.

Godina në qendër të Tiranës, në zonën e “21 Dhjetorit” i është shitur prej dy vitesh sipërmarrësit të njohur vlonjat Sinan Idrizi. Pra, arsyeja e lëvizjes së kolegjit drejt Kasharit ka qenë një marrëveshje biznesi.

“Në fund të vitit mësimor 2021-2022 u ndjemë të detyruar të ndryshojmë godinën, pranë Rrugës së Kavajës në Tiranë, te një tjetër, në zonën e Mëzezit / Kashar (ish-godina e Univesitetit “Aldent”). Për të kthyer këtë godinë në një ambient të denjë për standardet tona, vepruam sipas përcaktimeve ligjore duke njoftuar Ministrinë e Arsimit…”, njofton Kolegji “Mehmet Akif”.

Godina e vjetër e kolegjit të vajzave në fillim të Rrugës së Kavajës, në kryqëzimin e “21 Dhjetorit”, ishte marrë me koncesion nga Fondacioni “Gulistan” për një periudhë 35 vjeçare. Në kushtet kur ishte në vitet e fundit të kontratës, godina i është shitur biznesmenit Sinan Idrizi.

Idrizi prej shumë vitesh bashkëpunonte me këtë institucion arsimor duke financuar trajnime për nxënësit e “Mehmet Akfi”. Duke qenë partner në biznes me këtë institucion arsimor, Idrizi ka marrë përsipër blerjen e godinës kolegjit.

Në këto kushte, viti i ri mësimor për nxënësit që kanë zgjedhur “Mehmet Akif” ka nisur në godinën e re të vendosur në Kashar. Mirëpo, duket se ky objekt i ri, ish-Universiteti Alden, nuk plotësonte kushtet dhe qeveria shqiptare ka vendosur t’i anulojë licensën.

Video