Një 40-vjeçar është arrestuar nga policia e Tiranës, pasi është kapur me armë zjarri pistoletë me fishek në fole, gati për qitje, dhe prezantohej me dokument të falsifikuar si punonjës policie i forcave speciale.
Autoritetet zyrtare raportojnë se në pranga është vënë shtetasi Klodjan Gjikdhima, banues në Tiranë.
"Gjatë operacionit, në rrugën “Hamid Shijaku”, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar dhe ndaluar shtetasin K. Gj., të cilit, gjatë kontrollit fizik, i kanë gjetur një armë zjarri pistoletë me fishek në fole gati për qitje dhe një krehër me municion luftarak.
Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të banesës së këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale municion luftarak, një palë pranga, dy dokumente të falsifikuara për autorizim hyrjeje në institucione, një mbajtëse arme dhe një maskë si ato të Policisë." thuhet në njoftimin e Policisë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, "Mbajtja pa të drejtë e uniformës", dhe "Falsifikimi i dokumenteve".