Porti turistik i Durrësit, firmoset marrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe investitorit Alabbar

30 January 2023, 11:00Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Porti turistik i Durrësit, firmoset marrëveshja mes qeverisë
Marrëveshja

Qeveria shqiptare ka fimrosur ditën e sotme marrëveshjen me investitorin Alabbar për projektin e portit turstik të Durrësit, “Durrës Yacht & Marina”.

Marrëveshja është nënshkrua nga zv.ministri i Financave dhe Ekonomisë Besart Kadia, investitorit Muhammed El Alabbar dhe Erlis Hereni, drejtor i Agjencisë për realizimin e këtij projekti.

Kreu i qeverisë e konsideron si investimin më të madh të huaj në historinë e Shqipërisë.

"Gati me të gjitha tanimë për projektin më të rëndësishëm turistik, investimi më i madh i huaj në historinë tonë dhe ndoshta të rajonit, i cili do të transformojë rrënjësisht Durrësin, duke e vendosur në radhën kryesore të destinacioneve turistike në Mesdhe, me një impakt të thellë ekonomik jo vetëm për qytetin bregdetar po për të gjithë vendin. Nënshkrimi i marrëveshjes për zhvillimin e projektit “Durrës Yacht & Marina” është finalizimi i një rruge të gjatë pune voluminoze, në aspektin tekniko-ligjor, me një investitor të madh strategjik prestigji i të cilit është botërisht i njohur", shkruan Rama. 

Gjatë fjalës së saj, zv.kryeministrja Belinda Balluku theksoi se projekti me vlerë 2 miliardë euro është projekti i madh ekonomik për Shqipërinë, që sipas saj do të ndryshojë pamjen e turizmit jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin. Në këtë projekt shteti shqiptar është bashkëaksioner në 33%.

Ajo bëri të ditura edh vështirësitë e negocimit për shkak të kërkesave të shumtat nga ana e qeverisë shqiptare dhe theksoi se shteti ka përgjegjësinë e ruajtjes së aseteve strategjike.

“Ky është hapi përfundimtar i një procesi të gjatë. Kemi kaluar ët gjitha hapat e duhur në një negocim shumë të gjatë deri në aprovimin nga parlamenti dhe dekretimin e këtij ligji nga presidenti. Ky është projekti më i madh ekonomik që Shqipëria ka pasur ndonjëherë. Shteti shqiptar është bashkëaksioner në një projekt me vlerë 2 miliard euro dhe do të ndryshojë pamejn e turizmit jo vetëm për Shqipërinë por edhe për rajonin. Edhe diaspora do të jetë një njësi banimi në këtë projekt të ri. Nuk ka qenë e lehtë të negocionim. Përveç një projekti të rëndësishëm, kemi një grup të përgatitur për projekte të tjera të kësaj natyre. Periudha e negocimit gati një vit.

Ia kemi dalë më së miri do të vërtetojë që kemi bërë zgjedhjen e duhur. Kemi pasur momente kur të dy palët mendonim që nuk do të ecte se kërkesat e shtetit shqiptar ishin të shumta. Por në këtë projekt shteti është aksioner 33 %, ka përgjegjësi të ruajë asetet strategjike si kalatat baseni dhe kanali i portit. Këto mbeten pronë shtet si mbetet 45% e portit aktual që do pastrohet e rehabilitohet dhe do t’i kthehet në përdorim qytetarëve. Ne do të kemi mundësi të futemi në atë zonë që ka qenë e mbyllur. Do të lidhet me dy porte të thata në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë dhe do të ketë ndikim për zhvillimin ekonomik të rajonit”. tha Balluku.

Projekti i portit turistik të Durrësit është konsideruar nga opozita si një aferë korruptive, ku pas saj fshihen kompani ofshore.

Projekti do të zhvillohet në një sipërfaqe trualli prej 812 600 m2, që nga investimi, i kalon në pronësi kompanive. Parashikohen 12 000 apartamenteve dhe 2 hoteleve me 850 dhoma në total. Projekti parashikon 80 000 metër katror hapësira të gjelbra, ose hapësira të hapura dhe një gjatësi plazhi 700 metra.

Faza e parë nis në 2023-shin e zgjat për 5 vite, me vlerë investimi  € 595 milionë euro, dhe për fazën e dytë që pritet të nisë në 2028-ën, investimi është rreth 1 miliardë e gjysmë euro. Marrëveshja ka një jetgjatësi prej 35 vitesh, ndërsa përfundimi total i realizimit të projektit zgajt 20 vite. Qeveria shqiptare do të përfitoi gjatë gjithë kohës 33.3% të dividentit.


Video