Disa ndryshime të rëndësishme priten të miratohet në Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë.
VOX NEWS ka siguruar draftin final që është dorëzuar në Kuvend ku bëhet fjalë për disa ndryshime që realisht iu vijnë në ndihmë qytetarëve që drejtojnë automjete.
Drejtuesit e autobusëve, kamionëve apo transportit publik mund të drejtojnë mjetin, deri në moshën 70-vjeçare, nga 65 që është aktualisht.
Ky ndryshim bëhet për të përshtatur moshën e pensionit që shkon në proporcion rritjeje.
Një ndryshim i rëndësishëm është edhe ai për rinovimin e patentave.
Për drejtuesit e veturave, nëse deri më tani afati maksimal është 10 vjet për deri në moshën 50-vjeçare dhe i limituar akoma më shumë deri në 70 vjeç; me ndryshimet e reja parashikohet që deri në moshën 70 vjeçare, të bëhet zgjatje deri në 15 vite.
Shqipëria ndryshe nga vendet e tjera evropiane ka një lloj diskriminimi për shtetasit e vet, por jo vetëm.
Nëse një shtetas gjerman që ka një patentë me afat 15 vjeçar nëse do e konvertonte në shqiptare do të humbiste direkt 5 vite, gjë që e penalizon atë, ndryshe nga shteti i tij.
Por, gjithashtu edhe jetëgjatësia është rritur dhe mosha 50-vjeçare nuk mund të shikohet si një moshë e vjetër.
Kodi i ri pritet të heq dhe raportet mjekësore, që kanë qenë gjëja më qesharake dhe një shpenzim i kot që iu kërkohet drejtuesve të mjeteve.
Vetëm drejtuesit mbi 70 vjeç do të duhet të marrin një vërtetim te Mjeku i Familjes, duke mos kërkuar një dokument me 10 vula.
Por ndryshimet e reja parashikojnë dhe një lloj kufizimi për sa i përket drejtuesve të rinj.
Nëse jeni shofer i ri dhe sapo keni marrë patentën, deri në tre vite nuk do të mund të lëvizni në autostradë më shumë se 80 km/h.
Shpejtësia maksimale në një autostradë në vendin tonë është 110 km në orë. Me këtë shpejtësi për shembull lëvizet në bypass-in e Fierit. Por nëse ndryshimet miratohen, shoferët e rinj do të duhet të ecin me të paktën 30 kilometër më pak.
Ulje të shpejtësisë për këtë kategori shoferësh është parë të bëhet edhe për rrugët inter-urbane kryesore.
Për shembull, siç është ajo Elbasan-Tiranë, në të cilën maksimalja e lëvizjeve nga 90 km/h aktualisht, pritet të ulët në 70 km/h.
Sipas propozuesve këto ndryshime do të ndihmojnë në uljen e burokracive, minimizimin e paraqitjes në sportele, ku do të kenë prioritet kryesor përmirësimin e procedurave me qëllim lehtësimin e qytetarëve (kursimin e kohës, të distancës dhe kostove të tjera financiare që rëndojnë mbi qytetarët) si dhe parandalimin e aksidenteve, rritjen e sigurisë rrugore referuar statistikave në Republikën e Shqipërisë dhe BE-së mbi numrin e aksidenteve sipas grupmoshave.
Kodi Rrugor, për herë të fundit në Shqipëri është ndryshuar në Qershor të vitit 2021.
Pjesa më e madhe e ndryshimeve u karakterizua tek rritja e vlerave të gjobave, të cilat u shumëfishuan.
Ndryshimi i Kodit Rrugor kërkon shumicë të cilësuar 3/5, domethënë 84 vota, të cilat Partia Socialiste nuk i ka në Kuvend.
Nëse opozita do të japë pëlqimin për këto ndryshime mbetet për t’u parë.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.