Ekskluzive/ Ambasadori i Ukrainës në Tiranë: Putin kërkon të vizatojë kufijtë e Europës me tanke

5 Korrik 2022, 17:39Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Volodymyr Shkurov

Përtej luftës, ambasadori i parë ukrainas rezident në Shqipëri, Volodymyr Shukrov flet për përshtypjet që i ka lënë vendi ynë, si dhe për njohjen e Kosovës nga Kievi

Erion Habilaj – Vox News

Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shkurov në intervistë ekskluzive për VOX News flet për luftën që ka nisur Rusia ndaj vendit të tij, situatën që ndodhen qytetet ukrainase, refugjatët, si dhe ndihmat që po jep Perëndimi. Shkurov tregon arsyet pse Vladimir Putin ka nisur këtë luftë që po shkakton me mijëra viktima dhe çfarë pritet të ndodhë në vijim. Ambasadori Shkurov vlerëson qëndrimin e Shqipërisë ndaj popullit ukrainas dhe thotë se Putin kërkon që në vitin 2022 të vizatojë kufijtë e Europës me tanke. I pyetur për pavarësinë e Kosovës, ambasadori i Ukrainës thotë se për momentin fokusi është përballja me luftën dhe në një moment tjetër do të rishikohet qëndrimi edhe për Kosovën, ndërsa nuk nguron ta falënderojë Prishtinën për mbështetjen që ka treguar ndaj Ukrainës.

Vox News: Zoti Ambasador faleminderit që gjetët kohë për të zhvilluar këtë bisedë. Janë bërë më shumë se katër muaj që nga koha që Rusia ka nisur një sulm ushtarak ndaj vendit tuaj. Në gjykimin tuaj përse në vitin 2022 Rusia përdor forcën dhe tenton të pushtojë një vend të pavarur?

Volodymyr Shukrov: Ju faleminderit! Nuk është e lehtë t'i përgjigjesh pyetjes suaj, pasi duket si një pyetje retorike. Shumica dërrmuese e njerëzve në mbarë botën nuk arrin ta kuptojnë pse në vitin 2022 Rusia po përdor forcën dhe po përpiqet të pushtojë një vend të pavarur. Duket se, udhëheqja e lartë e Rusisë jeton ende në të kaluarën dhe përpiqet të realizojë ambiciet e veta perandorake në këtë mënyrë. Duket vërtet e tmerrshme kur, në mijëvjeçarin e tretë, dikush po përpiqet më anë të tankeve të vizatoj kufijtë në kontinentin evropian. Por kjo nuk është vetëm një luftë, është një përpjekje për të zhdukur popullin ukrainas, pasi çdo ditë Rusia, përmes sulmeve me raketa vret popullsinë civile në rajone të ndryshme të Ukrainës. Në fakt, territore të sigurta, nuk kemi ne sot.

Vox News: Nëse do bënim një bilanc të gjendjes së qyteteve në Ukrainë, çfarë ka ndodhur dhe po ndodh atje dhe cili është skenari më optimist që t’i jepet fund kësaj lufte?

Volodymyr Shkurov: Situata në kryeqytet dhe në pjesën perëndimore të Ukrainës tani duket pak më e qetë. Mirëpo, edhe këtu vazhdojnë sulme me raketa. Luftimet kryesore po zhvillohen në pjesën lindore dhe në jug të vendit tonë. Ka qytete të shkatërruara plotësisht, si Mariupol, Severodonetsk, Popasna e të tjera, ka qytete pothuajse të shkatërruara (Bucha, Borodyanka, Irpin...), qytet të cilat i mbijetuan pushtimit dhe krimeve të luftës të kryera nga okupatorët kundër popullsisë civile. Ushtria ruse po nënshtron me granatime mizore Sloviansk, Kramatorsk dhe Kharkiv. Ju me siguri e dini për sulmet e fundit me raketa mbi qendrën tregtare në Kremenchuk, dhe mbi ndërtesat të banuara në Odesa, Mykolaiv, etj. Për sa i përket skenarit për përfundimin e kësaj lufte, do të doja të kujtoja fjalët e Presidentit Zelensky, i cili, në veçanti, theksoj se,  është e qartë për të gjithë në botë, por edhe për shumicën në Rusi se Ukraina do të fitojë. Është vetëm çështje kohe. Por, për fat të keq, kjo është një çështje e humbjeve që po përjeton Ukraina, para së gjithash, humbjeve në jetët njerëzore. Kjo është një çështje e armëve moderne, të cilat Ukraina i merr dhe do t'i vazhdoi t’i marri nga partnerët tanë nga e gjithë bota e qytetëruar, të bashkuara sot. Me fjalë të tjera, çështja e përfundimit të kësaj lufte aktualisht po vendoset në fushën e betejës. Sigurisht, duke pasur parasysh numrin e madh të vdekjeve - si në mesin e ushtrisë (dhe Rusia ka humbur tashmë më shumë se 35 mijë ushtarë të saj) dhe në mesin e popullatës civile –do të donim që kjo luftë të përfundonte sa më shpejt të ishte e mundur.

Vox News: Shumë analistë ndërkombëtarë e shohin këtë luftë të Rusisë si një përpjekje të Vladimir Putin për të rikthyer lavdinë e ish-Bashkimit Sovjetik. Sa qëndron kjo tezë dhe a mendoni se ka qenë afrimi i NATO-së në zonat e influencës ruse si një shkak për të sulmuar Ukrainën?

Volodymyr Shkurov: Mund të pajtohemi me këtë qëndrim të analistëve ndërkombëtarë. Për lidershipin rus, rënia e Bashkimit Sovjetik rezultoi vërtet një tragjedi. Natyrisht, Rusia do të donte të vazhdonte të mbante Ukrainën dhe pjesën tjetër të ish-republikave sovjetike në sferën e saj tradicionale të ndikimit. Nëse marrim parasysh argumentet e lidershipit rus, atëherë i bie se është politika e zgjerimit të NATO-s që shkaktoi atë që po ndodh tani, por kohët e fundit është e vështirë për t'i kuptuar ato, pasi shkaqet që ata parashtronin u rrezuan gjatë kësaj lufte dhe po shfaqen argumente gjithnjë me të reja. Megjithatë, a nuk ka të drejtë një shtet i pavarur, në këtë rast - Ukraina, të zgjedhë në mënyrë të pavarur rrugën e zhvillimit të tij dhe formën e garancive të sigurisë së tij?

Vox News: Bashkëkombësit tuaj janë duke luftuar me ushtarët rusë, por dhe shumë të tjerë janë detyruar të largohen nga vendi. Sa është numri i qytetarëve ukrainas që kanë lënë vendin, dhe ku janë strehuar për momentin?

Volodymyr Shkurov: Më shumë se 12 milionë ukrainas u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre për t'i shpëtuar luftës. Mbi 5 milionë (përfshirë 900,000 fëmijë) janë larguar jashtë vendit. Gati 8 milionë ukrainas u bënë persona të zhvendosur brenda vendit. Në të njëjtën kohë, më shumë se 3 milionë janë kthyer tashmë nga jashtë në Ukrainë. Ukrainasit që u detyruan të largohen jashtë vendit për t'i shpëtuar luftës jetojnë në vende të tilla si Polonia, Moldavia, Republika Çeke, Sllovakia, Hungaria, Bullgaria, Italia, Gjermania, Britania e Madhe. Të tillë ukrainas ka edhe në Shqipëri, megjithëse këtu janë relativisht të pakët. Dua të theksoj se shumica e ukrainasve refuzojnë të marrin statusin e refugjatit. Të gjithë presin të kthehen në Ukrainë.

Vox News: Para pak ditësh ishte samiti i NATO-së në Madrid, çfarë kërkuat konkretisht nga ky Samit?

Volodymyr Shkurov: Ukraina shprehu aspiratën se dokumenti përfundimtar i Samitit të NATO-s në Madrid (28-30 qershor 2022) do të ketë sinjalet politike të forcuara në lidhje me përgjigjen e aleatëve ndaj kërcënimit më të madh të sigurisë euroatlantike në dekadat e fundit, të cilin përmban sot agresioni i vazhdueshëm i Rusisë kundër Ukrainës. Në të njëjtën kohë kemi iniciuar, që aleatët t'i bëjnë thirrje Federatës Ruse për një tërheqje të menjëhershme dhe të plotë të forcave e saj të armatosura nga territori i Ukrainës, dhe gjithashtu konfirmuam se Ukraina kundërshton ngrirjen e konfliktit dhe njohjen e okupimit të një pjese të territorit të Ukrainës. Ne mirëpritëm gjithashtu përfshirjen në dokumentin përfundimtar të Samitit, angazhimin e aleatëve për të vazhduar t'i ofrojnë Ukrainës ndihmë ushtarake, për të ndihmuar në forcimin e aftësisë së Ukrainës për të zmbrapsur agresionin rus tani dhe në të ardhmen, për të çliruar territorin tonë nga pushtuesit dhe për të fituar luftën.

Vox News: Ka një perceptim publik se sulmi rus ndaj Ukrainës ka bashkuar më shumë Perëndimin, siç është Bashkimi Europian ashtu dhe vendet e NATO-s. Po a është ky bashkim në interes të Ukrainës, dhe a jeni të kënaqur nga reagimi i NATO-s për të frenuar agresionin rus ndaj vendit tuaj?

Volodymyr Shkurov: Agresioni i Rusisë kundër Ukrainës vërtet kontribuoi në bashkimin e vendeve të BE-së dhe NATO-s. Ukraina po merr një ndihmë të fuqishme si në sferën e mbrojtjes ashtu edhe në aspektin financiar. Aktualisht, NATO vepron si një garantues i sigurisë së Ukrainës në kundërshtimin e saj ndaj agresorit rus. Është e dukshme edhe pjesëmarrja e vendeve të BE-së dhe NATO-s në zhvillimin e mekanizmave për rindërtimin e Ukrainës pas luftës. Shembull i këtij uniteti dhe bashkëpunimi është edhe konferenca ndërkombëtare për rimëkëmbjen e shtetit tonë e cila po zhvillohet në 4-5 korrik në qytetin zviceran të Luganos.

Gjithashtu, dua të shtoj se Platforma e Rimëkëmbjes së Ukrainës do të përbëhet nga tre nivele:

- I pari, niveli i lartë, ku do të përfaqësohen liderët e shteteve.

- I dyti, grupi i Përbashkët Koordinues, i cili do të përfshijë krerët e pushtetit ekzekutiv dhe vendimmarrës (“decisionmakers”) nga Ukraina, SHBA, BE, Britania e Madhe, Polonia dhe vende të tjera partnere.

- I treti, grupi tematik nga fushat e industrisë. 24 grupe të Këshillit Kombëtar për Rindërtimin e Ukrainës.

Vox News: Shqipëria ka qenë aktive në këtë konflikt dhe pak ditë më parë kryeministri shqiptar ishte personalisht në Kiev, por dhe opinionin i gjerë në Shqipëri duket se ka një qëndrim të unifikuar në solidaritet me Ukrainën. Cili është gjykimi juaj për qëndrimin e Shqipërisë?

Volodymyr Shkurov: I jemi mirënjohës Shqipërisë për solidaritetin dhe mbështetjen ndaj Ukrainës si në nivel bilateral ashtu dhe shumëpalësh. Pozicioni solidar i Shqipërisë me Ukrainën është veçanërisht i dukshëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku Shqipëria kryeson aktualisht si një anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Shqipëria ofron ndihmë humanitare Ukrainës, merr pjesë në zhvillimin e mekanizmave për rindërtimin e vendit tonë pas luftës. Për të gjitha këto kryeministri i Shqipërisë Edi Rama foli me Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelenskyi dhe kryeministrin e Ukrainës Denys Shmyhal më 15 qershor, gjatë vizitës së tij zyrtare në Ukrainë. Një mirënjohje të veçantë, dëshiroj të shpreh për popullin e Shqipërisë për mbështetjen që po u jep popullit të Ukrainës.

Vox News: Zoti Ambasador do ju bëj një pyetje që në fakt ua kanë bërë dhe kolegë të tjerë. Shqiptarët për shkak të vendimeve të Fuqive të Mëdha janë të ndarë në disa shtete, sa jemi i vetmi shtet që kufirin tokësor e kemi të përbërë nga bashkatdhetarët tanët. Shqipëria ka një shqetësim që lidhet me Kosovën. Ukraina është një ndër shtetet që nuk e ka njohur pavarësinë e saj, kjo ndoshta dhe për shkak të përpjekjeve që ka bërë Rusia dhe Serbia. A mendoni se ka ardhur momenti që të keni një qasje tjetër dhe të njihni Kosovën si një shtet i Pavarur, siç është në fakt?

Volodymyr Shkurov: Çështja e njohjes së Kosovës është ngritur vazhdimisht. Gjithashtu, këtë çështje e ngriti edhe kryeministri Edi Rama gjatë vizitës së tij në Kiev më 15 qershor. Ukraina po monitoron me vëmendje situatën në Ballkan, veçanërisht në rajonin e Ballkanit Perëndimor. I jemi mirënjohës Kosovës për solidaritetin dhe mbështetjen ndaj Ukrainës në luftën e saj kundër agresorit rus. Tani është e rëndësishme për ne të dalim nga zjarri i luftës. Për njohjen e pavarësisë së Kosovës, mund të flitet në një fazë të mëvonshme.

Vox News: Ju jeni ambasadori i parë ukrainas në vendin tonë, si iu është dukur Shqipëria?

Volodymyr Shkurov: Është e vërtetë. Unë jam Ambasadori i parë rezident në Shqipëri. Unë e shoh shumë pozitivisht Shqipërinë. Para së gjithash, kjo ka të bëjë me popullin e Shqipërisë, i cili meriton respekt për sinqeritetin dhe aftësinë e tij për të ndjerë dhimbjen e të tjerëve. Në të njëjtën kohë, Shqipëria më duket shumë interesante edhe nga pikëpamja e historisë, kulturës dhe gjuhës. Është i dukshëm edhe roli dhe rëndësia e Shqipërisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Dhe unë u përkas atyre simpatizantëve të Shqipërisë që dëshirojnë që ajo të shkojë drejt anëtarësimit të plotë në BE sa më shpejt të jetë e mundur.

Vox News: Shqipëria ka pasur një histori marrëdhënieje të ngushtë me Rusinë, këtu e kam fjalën për Luftën e Dytë Botërore dhe vitet më pas, por sot shpesh ka lajme se shqiptarët janë të gatshëm që të bashkohen me popullin e Ukrainës për të frenuar sulmin rus, si ndiheni për këtë fakt dhe e shikoni një miqësi të vërtet mes dy popujve, apo ky qëndrim vjen si rrjedhojë e qëndrimit amerikan në favor të Ukrainës?

Volodymyr Shkurov: Besoj se midis popullit ukrainas dhe shqiptarë ekzistojnë ndjenja të respektit të ndërsjellë dhe miqësisë së sinqertë. Për mendimin tim, shqiptarët e perceptojnë më shumë ndjeshmëri padrejtësinë, dhe pikërisht në këtë paradigmë ata e perceptojnë agresionin rus ndaj Ukrainës. Ndjenja e padrejtësisë i shtyn shqiptarët të mbështesin Ukrainën, diçka, që ata edhe e bëjnë. Solidaritetin dhe mbështetjen ndaj Ukrainës tregojnë si lidershipi i vendit tuaj, ashtu dhe njerëzit e zakonshëm. Si Ambasador i Ukrainës, dëshiroj të shpreh edhe një herë mirënjohjen time për popullin e Shqipërisë për solidaritetin e tij me popullin e Ukrainës.

Vox News: Ju faleminderit zoti Ambasador dhe uroj që lufta të marrë fund sa më shpejt, për të mirën e popullit tuaj pikësëpari, por dhe për gjithë botën në përgjithësi.

Volodymyr Shkurov: Ju falënderoj përzemërsisht! Ne besojmë në fitoren dhe në një fund sa më të shpejtë të kësaj lufte të tmerrshme.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video