Edi Rama fton Jim Belushin që të hap fermë me kanabis në Shqipëri

26 October 2022, 15:44Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Edi Rama fton Jim Belushin që të hap fermë me kanabis në
Në foto: Kryeministri Edi Rama dhe aktori i njohur, Jim Belushi

Aktori i njohur Jim Belushi, prej disa ditësh i është përgjigjur ftesës së kryeministrit Edi Rama, për të qenë prezent në Shqipëri. Promovimi i legalizimit të kanabisit, me qëllim parësor shkatërrimin e krimit të organizuar, ishte kryefjalë e bisedës së tij të mbajtur sot në COD, në kryeministri.

Aktori i njohur i mëshoi faktit se miratimi i ligjit të propozuar në Parlament për legalizimin e kanabisit do të ishte në të mirë të vendit. Po ashtu ai vlerësoi investimet që janë bërë në vend, rrugët, prishjen e ndërtesave të paligjshme si ato te “Lana”. Aktori u ndal dhe tek vizita r tij në Devoll, prej nga vjen familja  e tij. 

“Ndërsa qyteza ime Devolli, është ai fshati mistik aq i bukur prej nga vjen babai im, familja e nënës sime, të afërmit e mi. Ishte një përvojë shumë e bukur dhe e veçantë, të kthehesha aty. Përjetova shumë emocione të fuqishme dhe ende jam duke përpunuar  në kokën time atë që përjetova aty. Ai ishte një fshat që unë e njihja, e njihja se aty është rrit nëna ime gjyshja ime. Unë as sytë nuk mund ti shqisja nga ai fshat që më sillte kujtime, çdo njeri, ushqimi çdo gjë”, tha ai për mediat.

Belushi u ndal edhe tek mikëpritja e shqiptarëve , traditat e vendit, duke theksuar faktin se edhe shërbimi në restorante është përmurësuar.

“Unë vetëm mund t’ju tregoj për ushqimin. Kur vjen këtu nuk mund të ruash djetën amerikane. Kemi ngrënë aq mirë dhe aq shumë. Ushqimi këtu është i mrekullueshëm, madje kemi thënë pse njihet Italia për ushqim kur këtu është ushqimi aq i mirë. Nuk ndalonim së ngrëni duke filluar nga perimet, sallatat, mishi, byreku e plot të tjera. Fatkeqësisht ëshët ushqimi më i mirë në biotë dhe ndoshta duhet ët jetë dikush me disiplinë që ta haj këtë ushqim. Ushqimi ka qenë i mrekullueshëm që nga tirana e deri në Korçë e Lazarat.”, tha aktori.

Jim Belushi në Lazarat, si aktor apo si fermer kanabisi?

Aktori njihet dhe për fermat e tij, ku siç thotë , kultivon kanabisin, i cili nëse përdoret në doza të kontrolluara siç thotë aktori, ndryshe nga alkoli nuk shkakton probleme ne shëndetin.

Jim Belushi, prej dy ditësh po qëndron edhe në Gjirokastër ndërsa dje është shfaqur në Lazarat bashkë me kryebashkiakun Flamur Golemi. Po ç’ne Jim Belushi në Lazarat?

“Me të madhin Jim Belushi në Lazarat, për të eksploruar fshatin që pavarësisht të shkuarës, ka potenciale të jashtëzakonshme për zhvillimin e turizmit dhe është gjithashtu  një shesh-xhirimi perfekt për projekte kinematografike ndërkombëtare si ai që po bën aktori shqiptaro-amerikan. Të tjerat më vonë…”, shkruan kryebashkiaku i Gjirokastrës.

Kujtojmë që Jim Belushi është edhe një fermer kanabisi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Kaliforni ai zotëron një fermë të madhe të kultivimit të kanabisit për qëllime mjekësore. 

Për vite me radhë Lazarati ka qenë vendi kryesor i kultivimit të kanabisit në Shqipëri, ndërkohë qeveria “Rama” po bën gati një ligj për legalizimin e kësaj bime. Në këtë kontekst kushdo mund të ketë hamendësimet e veta rreth pranisë së Belushit në Lazarat.

Edhe pse kryeministri Rama, gjatë takimit që pati me Belushin, deklaroi se ai ka ardhur në Shqipëri për një dokumentar që do shfaqet tek Discovery.

Si do të funksionojë legalizimi i kanabisit në Shqipëri?

Qeveria shqiptare pritet të publikojë projektligjin për konsultim publik në lidhje me legalizimin e kanabisit për përdorim mjekësor. Ky hap ka ardhur menjëherë pas rezultateve të nismës së kryeministrit të vendit Edi Rama të kurorëzuar ”Kuvendimi Popullor” ose “Këshillimi Kombëtar”.

Të pyetur mbi legalizimin apo jo të kanabisit për përdorim mjekësor, 61 për qind e shqiptarëve janë shprehur pro lejimit të kultivimit. Kundër ishin vetëm 29 për qind e qytetarëve. Vetë Rama, qysh në krye të herës theksoi se rezultatet e këtij procesi do të fillojnë të zbatohen “shumë shpejt”.

Lidhur me rrjedhojën e këtij vendimi, Rama ka sqaruar se në Shqipëri nuk do të lejohet përdorimi vetjak i kanabisit. Kreu i qeverisë ka deklaruar se kultivimi do të bëhet në kushte shumë strikte laboratorike, super të kontrolluara dhe super të certifikuara.

Produkti, sipas kryeministrit, mund të shkojë për eksport ose mund të përdoret në Shqipëri nëse do të ngrihet industria e përpunimit të saj. Shqipëria do të bëhet shteti i tretë pas Kroacisë dhe Maqedonisë së Veriut që do të ndërmarrë një hap të tillë legjislativ në rajon.

Konkretisht hapi i radhës është pikërisht ky projektligj, ku parashikohet krijimi i një Agjencie në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë. Kjo Agjenci do të ketë rolin për të ngritur një Komision, e cila do të merret me dhënien e licencave për subjektet që do të merren me kultivimin e kanabisit për përdorim mjekësor.

Ndërkaq licenca do të ketë një afat 15-vjeçar me të drejtë rinovimi. Përfituesi i licencës ose një aksionar i tij, duhet të zotërojë 51% të aksioneve të shoqërisë, ku duhet të kenë jenë ushtrues i veprimtarisë së prodhimit të nënprodukteve të bimës së kanabisit në një nga vendet e OECD-së, zotërues i Praktikës së mirë të prodhimit të lëshuar nga Agjencia Evropiane e Barnave ose Agjencia Amerikane për Ushqimin dhe Barnat. Po ashtu duhet të kenë një kapital të shoqërisë jo më të vogël se 100 milionë lekë.

Drafti ndërkohë parashikon se licenca shfuqizohet, nëse subjekti nuk fillon zhvillimin e aktivitetit brenda një afati prej 12 muajsh.

Gjithashtu kushtet e dhënies së licencës rivlerësohen nga Agjencia çdo tre vjet, e cila nëse konstaton mosplotësimin e kushteve dhe kritereve, i propozon autoriteteve përkatëse shfuqizimin e lejes për ushtrimin e aktivitetit. Projektligji parashikon se pajisja me leje kultivimi i jepet vetëm subjekteve që janë të regjistruar në Regjistrin e Kultivuesve të kanabisit industrial, i cili krijohet dhe administrohet në ministrinë përgjegjëse për bujqësinë.

Në këtë regjistër sipas draft-propozimit kanë të drejtë aksese vetëm Agjencia dhe Ministria përgjegjëse për rendin dhe sigurinë. Më tej parashikohet se subjekti, i cili do të pajiset me leje kultivimi lejohet të mbjellë vetëm fara dhe fidanë të regjistruar në institucionin përgjegjës për regjistrimin e farave dhe fidanëve.

Këshilli i Ministrave brenda datës 30 nëntor të çdo viti, miraton me propozim të Agjencisë zonat kadastrale (territoret) ku do të lejohet kultivimi i kanabisit për qëllim industrial. Në përfundim do të ngarkohet Kryeministri që brenda nëntë muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji të nxjerrë aktet nënligjore të kërkuara.

Përveç Kryeministrit do të ngarkohen ministritë, sipas fushës së tyre të përgjegjësisë, të nxjerrin aktet nënligjore. Kroacia dhe Maqedonia e Veriut, si Çekia, Lituania dhe Polonia, janë ndër vendet e pakta në Evropë që kanë legalizuar përdorimin e marijuanës për qëllime mjekësore.

Ish-kryeministri maqedonas Zoran Zaev premtoi asokohe se do ta transformonte Shkupin në një “Amsterdam në Ballkan”. Propozimi i Zaev-it, ishte që marihuana të bëhej plotësisht e ligjshme për t’u përdorur dhe të ishte e disponueshme gjerësisht në kafenetë e stilit holandez.

Në një intervistë për Deutsche Welle-n, Zaev mohonte se pas legjislacionit të tij të propozuar qëndronin interesa personale. Ai premtoi se do të bëheshin përpjekje për të siguruar që fitimet e mundshme të riinvestoheshin në vend.

Posedimi dhe përdorimi i bimës nuk është ende i ligjshëm në të gjitha rrethanat. RMV-ja u frymëzua nga qasja kanadeze e tregut të lirë për kultivimin dhe shitjen e kanabisit, me kompanitë private që lejohen të kultivojnë dhe shpërndajnë bimën.

Në vitin 2018, Korporata Ndërkombëtare Kanabis Kanadeze (ICC) ra dakord të blejë 100 për qind të “Balkan Cannabis Corp”. Kjo e fundit, ka licencën maqedonase për kultivimin dhe nxjerrjen e kanabisit mjekësor, si dhe licencat bullgare të kultivimit të kanabisit mjekësor dhe kërpit.

Më shumë se gjysma e popullsisë evropiane mbështet legalizimin e përdorimit të kanabisit për të rriturit. Kjo, sipas të dhënave të konsulentëve të kësaj industrie, e cila u publikua të enjten e 7 prillit nga agjencia e lajmeve “Reuters”.

Qasja liberale e Evropës mund të korrë përfitime të shumta financiare dhe ekonomike siç shihet në Shtetet e Bashkuara. Shumica e evropianëve mbështesin dyqanet e rregulluara të kanabisit, ndërsa një pjesë prej tyre nuk janë pro rritjes së bimës në shtëpi.

Raporti erdhi pasi Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-ve miratoi një projektligj për t’i dhënë fund ndalimit federal të marihuanës. Shumë vende evropiane, përfshirë Gjermaninë, e kanë legalizuar kanabisin për qëllime të kufizuara mjekësore.

Malta u bë vendi i parë evropian që lejoi kultivimin e kufizuar dhe përdorimin personal të kanabis-it. Tregu evropian i kanabis-it pritet të kalojë 3 miliardë euro të ardhura vjetore deri në vitin 2025.


Video