Vatra e zjarrit në pyllin me pisha Kraps të Fierit është riaktivizuar sërish. Flakët po përhapen me shpejtësi për shkak të terrenit dhe erërave të forta që favorizojnë shtrirjen e tyre në një sipërfaqe më të gjerë. Si pasojë e flakëve, disa banesa janë në rrezik, ndërsa deri më tani janë djegur dy banesa të pabanueshme, si edhe një dhomë që përdorej si kuzhinë.
Zjarrfikësit ndodhen në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për shuarjen e flakëve, ndërsa ka nisur edhe ndërhyrja nga ajri. Një helikopter ‘Cuagar’ i ministrisë së Mbrojtjes ka nisur operacionin për fikjen e flakëve. Komandanti i zjarrfikëseve të Fierit Zija Hyka pohon se situata është e vështirë ndërkohë që për neutralizimin e flakëve në terren ndodhen tre mjete zjarrfikëse.
Një zjarr ka përfshirë plantacionet me ullinj në fshatin Çeprat në Vlorë.
Gjithashtu nga flakët është përfshirë edhe një zonë e pyllëzuar në fshatin Risili. 10 banesa në fshatin Risili janë te rrezikuara.
Raportohet se zjarri është pranë rrugës ku qarkullojnë automjetet dhe bëhet e vështirë për të kaluar. Era e fortë po ndihmon në përhapjen e flakëve, duke bërë që zjarri tu afrohet varrezave te qytetit.
Sakaq, dy vatra zjarri janë rregjistruar edhe ne qarkun e Gjirokastres. Një është në fshatin Dukaj, bashkia Tepelenë dhe një tjetër në fshatin Buz bashkia Memaliaj. Zjarri po përhapet me shpejtësi për shkak të erës. Sakaq, mësohet se banesat nuk janë të rrezikuara.
Efektivët e zjarrfikses Tepelenë dhe Memaliaj ndodhen në vengjarjet, nderkohë që tani ju bashkua edhe ekipi i zjarrfiksesë Gjirokastër.
Ndërkohë ministria e Mbrojtjes njoftoi se 45 efektivë, mjete dhe helikopteri Cougar të angazhuar për të shuar vatrat e zjarrit në zonat e Plykut, Krapsit dhe Cakranit në Fier.
“Trupa të tjerë dhe mjete po vijojnë punën edhe në Vlorë. Në gatishmëri të plotë për të siguruar jetën e qytetarëve tanë! Ju lutemi banorëve, t’u binden autoriteteve në rast nevoje për evakuim. Njoftoni sa më shpejt çdo vatër sado e vogël qoftë, pranë autoriteteve vendore! Marrja e masave në kohë, parandalon ngjarje me përmasa të mëdha!”, tha ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi në një postimi në rrjetet sociale.