"E keni ekzagjeruar"/ Qeveria pranon disa nga kërkesat e pedagogëve, por jo rritjen e pagës: Protesta nuk anulohet

23 Shtator 2022, 18:41Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Pedagogu i pranishëm në takim

Ka përfunduar takimi mes një grupi pedagogësh dhe ministres Evis Kushi të realizuar në ambientet e Ministrisë së Arsimit, pas kërkesave për rritjen e pagave dhe shtimin e buxhetit për arsimin.

Në daljen për mediat, pedagogët thanë se ministrja pranoi disa prej kërkesave të tyre, por jo atë më kryesoren, rritjen e pagave për punonjësit e universiteteve. Ai tha se protesta e paralajmëruar e 5 Tetorit nuk do të anulohet.

“Trajtimi financiar i profesioriatit nuk është çështje vetëm e rrogave. Por si të vendosim prioritet zhvillimin e arsimit të lartë cilësor në Shqipëri. Që studentët shqiptarë të qëndrojnë këti dhe jo të shkojnë nëpër botë.

Ne në kërkesat tona kemi qenë miminalistë, ndërsa ministria thotë që janë të ekzagjeruara. Jemi në pritje të një reagimi për këto kërkesa që ramë dakord me ministrinë. Në këtë prizëm nuk mbetet gjë tjetër përveçse të vazhdojmë protesta. Protesta e 5 tetorit nuk anulohet, ajo do vazhdojë.

Për rritjen e pagave nuk është arritur dakordësi. Ministria thotë që 180 euro është rritje e jashtëzakonshme. Ne mendojmë që 200 euro është tallje. Ne mendojmë që jemi në kushtet e një inflacioni shumë të lartë. Nuk bëjmë fjalë për një analizë krahasuese por për pozicionin e pedagogut dhe profesioriatit.

Jemi në pritje të një feedback për kërkesat që ramë dakord me ministrinë. Më konkretisht në lidhje me transparencën të shpenzimeve të universiteteve. Ministria premtoi se do i kërkonte transparencë universiteteve, si shpenzohen paratë publike. Ramë dakord për pikën me doktoraturat, lidhur me kushtet dhe numrin e doktoraturave që duhet të udhëheq një pedagog. Kjo besoj do rregullohet.

Ramë dakord për një rikonceptim të orëve. U ra dakord që do të analizohet në tërësi për të vendosur një koefiçent. Ramë dakord parimisht që leksionet të kenë një koefiçent më të madh se seminarët, si për bachelorin ashtu edhe për masterin." tha një prej pedagogëve të pranishëm në takim.

Gjithashtu ai deklaroi se mbështet protestën e studentëve të cilët kërkojnë një ndihmë prej 100 eurosh.

"Ne jemi të vendosur për kërkesat kryesore. Kërkesat tona janë të paekzagjeruara. Ekzagjerimi vjen nga perceptimi i gabuar i vlerës së parasë. Çdo qytetar ka të drejtë të kërkojë në kohë inflacioni, rimbursimet. Çdo qytetar është i mbështetur nga çdo qytetar. Qeveria ka mundësi që të rimbursojë diçka për studentët. Më datën 5 tetor, protesta vazhdon. Do jetë në formë tubimi. Do jetë forum me akademik dhe profesorë." tha pedagogu.

Video