
Spitali i Traumës ka reaguar pas arrestimit të mjekut Fitim Marku, i cili u kap brenda ambienteve të spitalit duke marrë 20 mijë lekë të reja ryshfet.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, spitali i Traumës i kërkon drejtësisë të çojë deri në fund hetimin dhe zbardhjen e së vërtetës, teksa shton më tej se raste të tilla nuk duhet të njollosin të gjitha bluzat e bardha.
“Nisur nga ngjarja e sotme e ndalimit të mjekut me inicialet F.M, Spitali Universitar i Traumës inkurajon organet e drejtësisë për të çuar deri në fund hetimin dhe zbardhjen e së vërtetës, për të vënë para përgjegjësisë këdo që përfshihet në veprime të kundërligjshme, përkundrejt shërbimit që ofrohet për qytetarët.
Raste të tilla nuk duhet të përkthehen në njollosjen e të gjitha bluzave të bardha, mjekëve dhe infermierëve, të cilët e kryejnë me përkushtim dhe korrektesë punën e tyre çdo ditë në shërbim të pacientëve.
Garantojmë qytetarët se, në Spitalin Universitar të Traumës nuk u ndërpre dhe nuk do të ndërpritet në asnjë moment shërbimi për këdo që ka nevojë për kujdes mjekësor”, thuhet në reagim.