Gjykata e Apelit të Posaçme ka lënë në burg të akuzuarit për laboratorin e kokainës të zbuluar në Frakull të Fierit. Apeli ka shqyrtuar kërkesë për ndryshim mase vetëm për 5 nga të akuzuarit, pasi pjesa tjetër e të arrestuarve nuk paraqitën ankimim.
Më konkretisht, bëhet fjalë për Enxhi Ferhati, Bledar Matoshi, Klajdi Matoshi, Redin Meshi dhe Julian Malaj, të cilët do të vazhdojnë të qendrojnë në qeli.
Ata kanë kërkuar masë më të butë sigurie ose atë të burgut me afat deri në daljen e përgjigjeve të analizave, pasi ata pretendojnë se nuk kanë pasur informacion për kokainë. Referuar kërkesës së tyre për ndryshim mase thuhet se te pandehurit nuk kanë pasur informacion se plehu ishte përzier me kokainë, kjo referuar edhe letrave të zhdoganimit.
SPAK ka paraqitur si prova përgjime dhe pamje filmike që bindën Apelin të miratoj vendimin e Shkallës së Parë.
Pas tre muajsh përgjime dhe vëzhgime nga ana e SPAK-ut, DEA-s dhe policisë malazeze, operacioni policor u realizua më 24 Nëntor.
Kokaina e fshehur në thasë me pleh artificial, është zbuluar nga policët malazezë në korrik, me ndihmën e Drejtorisë së të Ardhurave dhe Doganave, pasi ngarkesa mbërriti në Portin e Tivarit. Inspektorët e Sektorit Kundër Krimit në bashkëpunim me Prokurorinë e Lartë të Shtetit dhe policinë shqiptare mbajtën nën vëzhgim dërgesën derisa të shkonte në destinacionin final, Shqipërinë
Në Frakull u zbulua në banesën e ish-kryekomunarit Viktor Çervanaku rreth 430 kg kokainë e përzierë me pleh organikë.