Dosja Partizani/ Zgjidhet treshja e gjyqtarëve që do gjykojnë Berishën

2 June 2025, 11:32Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Dosja Partizani/ Zgjidhet treshja e gjyqtarëve që do gjykojnë
Elsa Ulliri, Bib Ndreca dhe Rudina Palloj

Gjyqtarja e Posaçme Elsa Ulliri do jetë kryesuesja e trupës gjykuese për dosjen e aferës Partizani, e cila tashmë ka kaluar për gjykim me të pandehur ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndrin Jamarbër Malltezi dhe 3 bashkëpunëtorët e tyre.

Shorti u hodh sot në GJKKO, ndërsa gjyqtarët Bib Ndreca dhe Rudina Palloj janë dy anëtarët e trupës gjykuese.

Kjo treshe gjyqtarësh do të duhet të përcaktojë brenda 10 ditësh datën e seancës së parë të gjyqit në themel.

Nën akuzë për korrupsion, Sali Berisha do të përgjigjet për aferën e privatizimit të klubit Partizani, për të cilën SPAK thotë se ai shfrytëzoi pushtetin që i jepte pozicioni i Kryeministrit për të pasuruar familjen e tij, përmes dhëndrit Jamarbër Malltezi. Ky i fundit do të përballet me drejtësinë për korrupsion pasiv dhe pastrim parash.

Me Berishën dhe Malltezin të pandehur janë edhe bashkëpunëtorët e tyre, biznesmeni Fatmir Bektashi, i akuzuar “korrupsion aktiv” dhe “pastrim parash”.

Akuza e “pastrimit të parave” i është komunikuar edhe ortakut të Malltezit, Xhimi Begeja, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i 'Homeplan', si dhe Andia Pustinës, financieres që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan. Në gjyq janë çuar edhe kompanitë “Kontakt”, “Homeplan” dhe “Studio Pustina”, të tria për pastrim parash.


Video