Në Gjykatën e Lartë po shqyrtohet kërkesa e familjarëve të Aleks Nikës, i vrarë në protestën e 21 janarit të vitit 2011, të cilët kërkojnë që dosja e ’21 janarit’ t’i kalojë SPAK.
Seanca gjyqësore nisi në orën 13:00 me trupin gjykues Ilir Panda, Sokol Binaj dhe Sandër Simoni.
Avokati Idajet Beqiri ka argumentuar pse dosja duhet të hetohet nga SPAK
“Ne kemi paraqitur rekurs para jush dhe kërkojmë që në përfundim të këtij gjykimi të vendoset kalimi i çështjes pranë SPAK. Personat konkretë që u atribuohet vepra penale janë persona që kanë në kompetencë për të gjykuar nga GJKKO për korrupsion dhe krim të organizuar.
Ajo që është e rëndësishme ne i dërguam organit të akuzës një kallëzim penal me emra mbiemra dhe funksionet që kanë patur. Ne nuk prisnim nga SPAK një shkresë, e cila dhe gjykata, në ankimin e bërë nga kjo shkresë, një here e quan shkrese, një herë vendim kompetence. Organi i akuzës nuk operon me shkresa, por me vendime.
SPAK ka bërë rolin e një të padituri të madh, në një kohë që e ditura është në mes të ditës dhe në diell. Ai është një krim që ka ndodhur në mes të ditës, në prani të mediave botërore, me figurë, me zë, me të gjitha. Është krim i dukshëm. Përveç rekursit iu dërguam si shtesë edhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtar të Strasburgut. Në atë vendim, dalin elementet se kush është i përzierë në atë krim shtetëror. Vendimi thotë që është vrasje shtetërore.
Në Gjykatën e Lartë janë të pranishëm dhe xhaxhai i Aleks Nikës, Mark Nika dhe e veja, Rajmonda Nika si dhe përfaqësues të SPAK, ku edhe më pas do të caktohet nëse çështja do të kalojë në dorën e Prokurorisë së Posaçme, duke prishur vendimin e dy shkallëve të mëparshme. Po ashtu në Gjykatën e Lartë kanë mbërritur edhe dy vëllezërit e Hekuran Dedës, i vrarë në protestën e 21 janarit.
SPAK përfaqësohet nga Prokurori Alfred Shehu.