“Do e vrasim kamikazçe”, PLANI i Suel Çelës për eliminimin e Ardjan Çapjas, POROSIA për snajperistin: Je o në burg, o në varr!

28 Nëntor 2024, 14:09Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Suel Çela/ Ardian Çapja/ Prekë Kodra

Grupi i strukturuar kriminal i Suel Çelës akuzohet se qëndron pas atentatit mafioz më 8 Qershor 2020 ndaj Ardian Çapjas, i cili u qëllua me snajper nga Kodra e Krastës.

Ai mori plumb poshtë shpatullës dhe iu nënshtrua një operacioni tek Trauma, duke arritur që t’i mbijetojë atentatit.

Nga hetimet e SPAK, rezulton se Suel Çela është përgatitur dhe ka vëzhguar kundërshtarin e tij për 2 vite, për shkak se Ardjan Çapja lëvizte nën masa të rrepta sigurie dhe dilte rrallë nga shtëpia.

Madje ai ka vendosur edhe kamera statike në qytetin e Elbasanit për të monitoruar lëvizjet e rivalit.

Nga hetimet e SPAK rezulton Suel Çela dyshohet se kontraktoi snajperistin nga Shkodra, Prekë Kodra, për të kryer vrasjen, e cili kishte marrë përsipër të eliminonte Ardjan Çapja duke e qëlluar nga distanca.

Grupi i Suel Celës kishte planifikuar ndërkohë një plan B nëse nuk do të arrinin të ekzekutonin me snajper Ardian Çapjan.

Planin B, që e quanin “kamikazçe”, dyshohet se do të përfshinte vrasjen e tij, nëpërmjet një operacioni më të përgjakshëm.

Ardian Çapja, sipas SPAK, u qëllua nga Prekë Kodra nga distanca në momentin që doli në oborrin e shtëpisë. Ai mori një plumb në shpatull dhe mundi t’i mbijetonte atentatin.

Gjatë bisedave me Suel Celës, snajperisti Prekë Kodra shprehte indinjatën që dështoi në kryerjen e ekzekutimit, teksa thotë se do të ishte më mirë ta kishin arrestuar.

Ai e vë më pas në dijeni Suel Çelën se kishte probleme me shtetin, pasi e dyshonin si autor të dyshuar të atentatit ndaj Ardian Çapjas dhe Kastriot Reçit, krim i ndodhur në 7 Janar 2020 zemër të Rrëshenit.

Sipas SPAK, Prekë Kodra informoi Suel Çelën se ishte pajtuar nga Bajrat e Shkodrës për një punë.

Por, ky i fundit i sugjeron që: “Mos u përzi me ta, me Bajrat je o në burg, o në varr”.

Organizata kriminale e Suel Celës u godit nga SPAK ku u lëshuan 21 masa sigurie, ndërsa të përfshirë janë edhe njerëz të drejtësisë, policisë dhe gazetarë.

Klani kriminal jo vetëm kishte qëllim eliminimin e kundërshtarëve, po ishin përfshirë dhe në trafik kokaine nga Amerika latine drejt Evropës.

Video