DETAJE/ SKANDALI në SPITALIN e Dibrës, si drejtoresha i shkoi në zyrë, shefit të financës dhe e goditi me shishe në fytyrë!

12 Shkurt 2025, 11:38Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Shaban Uklala/ Spitali i Dibrës/ Irini Shehu

Një ngjarje e paprecedentë është shënuar mesditën e së martës në qytetin e Peshkopisë.

Drejtoresha e Spitalit Rajonal Dibër, Irini Shehu, ka dhunuar shefin e Financës së spitalit, Shaban Uklala.

Shehu e ka goditur me shishe vartësin e saj, duke i shkaktuar plagë në fytyrë.

Mësohet se ajo i shkoi në zyrë vartësit të saj dhe në debat e sipër e ka goditur me shishe, motivet e konfliktit janë ende të panjohura.

Ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 12.00 por policia e njoftoi me 10 orë vonesë, përmes një njoftimi për mediat pas orës 22:00.

Shaban Uklala 37 vjeç, banues në Peshkopi, me detyrë përgjegjës finance është paraqitur në komisariat dhe ka kallzuar se në ambientet e spitalit pas një konflikti verbal, është goditur me një send të fortë në fytyrë nga Irini Shehu 44 vjeçe, banuese në Peshkopi, me detyrë drejtoreshë e spitalit.

Specialistët për Hetimin e Krimeve referuan materialet në prokurori ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj Shehut.

Drejtoresha po hetohet për veprën penale "Plagosja e lehtë me dashje", thuhet në njoftim.

Irini Shehu është njëkohësisht dhe Kryetare e Këshillit Bashkiak në Dibër, e zgjedhur nën siglën e PS-së, ndërsa në 2021 kishte kandiduar per PD-në.



Video