Një ngjarje e rëndë u regjistrua mbrëmjen e së shtunës në Kuçovë teksa një person, i identifikuar si Admir Bejo mbeti i plagosur me armë zjarri. Pas sulmit me armë zjarri, detaje të reja kanë dalë në dritë.
Mësohet se plagosja ka ndodhur për motive të dobëta, pas një konflikti të çastit të Admir Bejos me një banor tjetër të lagjes “1 Maji”, që banonte shumë pranë banesës së tij, pikërisht 200 metër nga vendi ku Bejo u gjet i shtrirë në rrugë.
Burimet policore konfirmojnë se konflikti mes Bejos dhe autorit ka ndodhur në banesën e këtij të fundit, ku pasi kanë debatuar me njëri-tjetrin komshiu i tij ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar 2 herë mbi 46-vjeçarin Admir Bejo.
Gjithashtu, burimet policore bëjnë me dije se është identifikuar autori i plagosjes, shtetasi me inicialet E.R., 36 vjeç dhe po punohet për kapjen e tij, ndërkohë që emri i autorit nuk bëhet ende publik.
Policia konfirmon se nga kqyrja e vendit të ngjarjes janë gjetur 4 fishekë, të kalibrit 7.62 mm.
Mbrëmjen e djeshme, Policia bëri të ditur se 45-vjeçari, banues në lagjen 1 Maji në Kuçovë, u gjet nga kalimtarët e rastit i gjakosur në rrugë dhe u transportua prej tyre në spital.