Dërgohet për gjykim ish-kreu i Prokurorisë së Tiranës Petrit Fusha, akuzohet se fshehu pronësinë e resortit luksoz

11 Dhjetor 2023, 13:18Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Petrit Fusha / Resorti "Mai Tai"

Prokuroria e Durrësit ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim ish-kryetarin e Prokurorisë së Tiranës, Petrit Fusha.

Fusha ishte marrë i pandehur pas përfundimit të procesit të “Vettingut” ku kishte rezultuar me shkelje të shumta në mosdeklarimin, fshehjen apo deklarimin e rremë të pasurisë së tij.

Hetimet ndaj Fushës filluan në Prokurorinë e Durrësit në vitin 2020, pasi disa kallëzime ndaj tij dhe subjekteve të tjera u referuan për kompetencë në këtë prokurori nga SPAK.

Ai është hetuar për fshehjen e pronësisë së resorit luksoz “Mai-Tai”, në periferi të Tiranës.

“Në funksion të hetimeve të procedimit penal nr. 2733/2019, në ngarkim të të pandehurit P.F., rezulton se janë përfunduar hetimet lidhur me akuzën “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë, i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publik, ose i çdo personi që ka detyrim ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a, pgr. 2, i Kodit Penal dhe në datën 05.12.2023 çështja i është dërguar Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për shqyrtim.

Shtetasi P. F., ka qenë me detyrën e prokurorit dhe në bazë të ligjit iu nënshtrua procesit të rivlerisimit.

Nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, është dërguar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, raporti me rezultatin përfundimtar të hetimit administrativ për ish-prokurorin P.F., ku u kërkua të hetohet për faktet në kuadër të rivlerësimit kalimtar. Ky fakt ka shërbyer për regjistrimin e çështjes penale, në ngarkim të tij dhe më pas ka sjellë marjen e tij në cilësinë e të pandehurit”, bën me dije Prokuroria e Durrësit.

Video