Ura e tragjedisë është shndërruar në një altar me lule e drita, një vend i dhimbshëm pelegrinazhi ku mbizotërojnë lotët e përqafimet për humbjen e tre të rinjve, të gjithë në të 20-at e tyre: Altinit, Eglit dhe Giulia-s.
Fotot e tyre qëndrojnë të vendosura pikërisht aty, bashkë me hapësirën boshe të barrierave që tashmë mungojnë pasi u morën para nga makina me të cilën ata udhëtonin.
“Ishin miqtë e mi, shiko sa të bukur janë”, prek me fjalët e saj një vajzë e re. Prek fotot lehtë dhe shton “i vendosëm mbrëmë në darkë, duheshin dhe e lanë këtë botë bashkë”, duke iu referuar Altinit dhe Giulia-s, të cilët ishin të dashur.
Shtëpia ku jetonte Giulia është pak minuta larg vendin të ngjarjes. Nëna Dorotea nuk ndodhet aty, është ende nën shok. Ka shkuar në shtëpinë e të afërmve, por nuk mund të gjejë paqe. Ishin shumë të lidhura, thonë të gjithë, 20-vjeçarja ishte e apasionuar pas gjimnastikës artistike, aq sa ishte bërë mësuese.
Një vajzë që të gjithë e përshkruajnë të qeshur, të shkathët, plot jetë e entuziazëm, bujare dhe të përkushtuar. Aktualisht po ndiqte një kurs online Ekonomie, përveçse punonte.
Mbi tavolinën e saj në dhomën e gjumit ka ende libra, e oraret e leksioneve. Babai Vittorio kërkoi mëngjesin e së shtunës në morg që të shihte të bijën. Nuk qe e mundur, nuk ishte ende momenti dhe dhimbja prevaloi.
Në shtëpinë e Giulia-s, gjatë pasdites, kushërinjtë e saj, Alessandro dhe Lorenzo kujdesen për 3 qentë e çiftit. Kushërinjtë u rritën bashkë, në dy vila të vogla që janë të vendosura përballë njëra-tjetrës. Lorenzo dhe Giulia ishin një moshë dhe u rritën si të ishin vëlla e motër.
“Unë dhe Altini ishim miq, jemi njohur në shkollë, do ta dua gjithmonë fort, por më mori kushërirën”, thotë duke mbajtur lotët.
“Por nuk mund të them që nuk e kam me të inatin. Bëri një budallallëk, ishte i papërgjegjshëm. Megjithatë të thuash që ka qenë faji i Altinin, apo që e ka vrarë ai, janë dy gjëra të ndryshme. Ai nuk donte t’i bënte keq, e donte shumë”.
Altini, pasi humbi vëllain e tij më të vogël Admirin, në Maj të këtij viti për shkak të një aksidenti me makinë, nuk ishte më i njëjti.
“Nuk donte të dilte, nuk donte të fliste, nuk donte të dëgjonte ato ngushëllimet e vazhdueshme”, vijon Lorenzo.
“Që prej asaj dite nuk punonte më, tani po kërkonte diçka. Ngushëllimi i vetëm ishte ajo BMW që kishte blerë me kursimet e punëve të para, pasioni i përbashkët që kishte me vëllain e tij të vogël. Nuk ishte mirë”.
Atë natë, tregon kushëriri, “i kisha kërkuar Giulia-s dhe Altinit që të vinin tek shtëpia ime, kishin ardhur edhe herë të tjera. Por fillimisht nuk donin të dilnin, folëm me mesazhe. Ndërsa makinën e morën bashkë me Eglin dhe nuk u kthyen më”.
Në shtëpinë e 22-vjeçarit Altin Hoti, drama është ajo e një nëne që në pak muaj ka humbur dy djem.
“Kam humbur tre”, thotë ajo duke qarë. E pamundur për ta ngushëlluar, sepse Giulia-n e kishte si vajzë. 20-vjeçarja, pas tragjedisë së parë që kishte goditur familjen ishte përpjekur në çdo mënyrë për t’i qëndruar pranë të dashurit dhe nënës së tij. Miqtë e tjerë ndihen gati me fat.
Kush nuk hipi në makinë, kush u largua pak më herët, kush e kishte lënë për të dalë, por e zuri gjumi, si Vittorio.
“Fati i tha që nuk ishte momenti i tij”, komentojnë njerëzit e mbledhur fare pranë urës tragjike.
Kujtojmë se nga aksidenti tragjik që ndodhi gjatë orëve të natës të së premtes humbën jetën dy të rinjtë shqiptarë, Altin Hoti dhe Egli Gjeci, si dhe e reja italiane Giulia Di Tullio.
Egli ishte me origjinë nga Shqipëria, ndërsa Altini me origjinë nga Kosova. Të tre jetonin në Portogruaro, Altini ishte prej 2 vitesh në një lidhje me Giulia-n dhe ishte në drejtimin e automjetit kur ndodhi tragjedia e trefishtë.
Sipas hetimeve të deritanishme, BMW-ja ishte me shpejtësi të madhe. Dëshmitarë thanë se makina vijoi drejt në një kthesë, duke marrë para barrierën e urës dhe përfundoi në lumë.
Sipas autopsisë, tre të rinjtë humbën jetën si pasojë e mbytjes. Altin Hoti vetëm 6 muaj më parë humbi vëllain e tij të vogël Admir Hoti në një aksident me makinë./CorriereDellaSera