Publikohet foto e të riut, Aleksandro Lazaj, i cili ka dhunuar dhe më pas ka grabitur punonjësin e një karburanti në Tiranë.
Policia publikoi njoftimin se ka arrestuar të rinjtë, Aleksandro Lazaj, 22 vjeç dhe Kristjan Lazaj, 21 vjeç, banues në Tiranë.
Kamerat e sigurisë së karburantit kanë fiksuar edhe momentin e grabitjes së punonjësit. Blutë e Tiranës bëjnë me dije se Aleksandro Lazaj ka zbritur nga makina ku ishte bashkë me Kristjan Lazajn, teksa po furnizonin makinën me karburant.
Në momentin që ka zbritur ai është përleshur me punonjësin e karburantit i cili ka rezistuar, me qëllim që të ruajë paratë, duke vënë në rrezik jetën e tij. Por i riu grabitës ka vijuar duke e dhunuar dhe më pas i ka marrë xhiron ditore.
Policia ka sekuestruar në makinë mjetin prerës thikë, një përforcues grushti, veshjet dhe automjeti që autorët e dyshuar kanë përdorur për të kryer krimin.