Rruga e Arbrit është bllokuar për shkak të reshjeve të borës, ndërsa shoferët raportojnë se asnjë borëpastruese nuk ndodhet aktualisht në terren.
"Si pasojë e reshjeve të dëborës që vijojnë të bien në Rrugën e Arbërit dhe në malësinë e Krujës, janë bllokuar akset rrugore: Rruga e Arbërit, Cudhi Kamp-Qafshtamë, dhe Bruzë Mal-Shkretë. Shërbimet e DVP Tiranë janë në gadishmëri të plotë për ti ardhur në ndihmë çdo përdoruesi rruge dhe apelon për drejtuesit e mjeteve që të mos qarkullojnë pa goma dimërore dhe zinxhirë, në këto zona, si dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme", njofton policia.
Edhe aksi rrugor bypass-Qafë Murriz, pjesë e rrugës së Kombit, aktualisht është bërë i pa kalueshëm.
Policia e Shtetit thotë se firma e mirëmbajtjes po punon për pastrimin e borës nga rruga dhe deri në përfundim të punës së tyre, qarkullimi i mjeteve do të bëhet nga aksi i vjetër rrugor Klos-Burrel-Ulëz.
Akset rrugore Peshkopi-Bulqizë, Bulqizë-Klos; Peshkopi-Kukës, janë të kalueshme vetëm me zinxhirë.
Policia Rrugore apelon për drejtuesit e mjeteve që të mos qarkullojnë pa goma dimërore dhe zinxhirë, të tregojnë kujdes të shtuar në drejtimin e mjetit, të shmangin lëvizjet e panevojshme, të moderojnë shpejtësinë dhe të mos bëjnë manovra të rrezikshme në rrugë. Në rast nevoje për ndihmë, telefononi në numrin 112.