“DASH na ka vlerësuar”, Dumani raporton në Kuvend: Rritje me 80% e çështjeve në hetim nga SPAK gjatë 2025

27 October 2025, 17:21Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
“DASH na ka vlerësuar”, Dumani raporton në Kuvend: Rritje
Altin Dumani

Kreu i SPAK, Altin Dumani, ka raportuar ditën e sotme në Kuvend mbi veprimtarinë e Prokurorisë së Posaçme gjatë vitit 2024.

Gjatë fjalës së tij, Dumani tha se roli i SPAK ka ndihmuar Shqipërisë për të përmirësuar me 5 pikë rezultatin e saj në indeksin global të korrupsionit.

Dumani gjatë fjalës së tij tha se Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) “ka vlerësuar punën e SPAK-ut”.

Po ashtu ai, theksoi indeksi i perceptimit të korrupsionit është përmirësuar në Shqipëri.

“Në Indeksin Global të Korrupsionit për vitin 2024, Shqipëria vlerësohet me 42 pikë, duke e përmirësuar indeksin e perceptimit të korrupsionit me 5 pikë në raport me një vit më parë. Transparency International ka njohur rolin e SPAK në rritjen e besimit të publikut. SPAK i ka dhënë një rëndësi të veçantë hetimit pasuror dhe financiar”, ka deklaruar Dumani gjatë fjalës së tij.

Po ashtu ai tha se vlera e pasurive të konfiskuara dhe sekuestruara është 65.8 milionë euro.

Dumani përsëriti rekomandimet e BE-së në lidhje me përforcimin e hetimeve për korrupsionin që SPAK ka zbatuar, gjë që e ka deklaruar edhe gjatë raportimit në 4 tetor në mbledhjen e përbashkët të dy komisioneve: Komisionit të Çështjeve Ligjore dhe Administratën Publike me Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale.

Ai tha se SPAK “konsolidoi kapacitetet duke rritur numrin e prokurorëve nga 17 në 20, shtimin e ekspertizës së BKH-së dhe shtimin e trajnimeve”, çka sipas Dumanit ka sjellë një “rritje me 80% të çështjeve në hetim dhe 21% të hetimeve për personat e hetuar.”


Video