“Ca trimosha erdhën te Kryeministria dhe s’donin të linin patllaken”, BKH reagon pas deklaratës së Ramës: Njëri nga hetuesit kërkoi...

14 December 2025, 16:08Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
“Ca trimosha erdhën te Kryeministria dhe s’donin të linin
Foto ilustrim: Edi Rama-BKH

Kryeministri Edi Rama duke komentuar sot kthimin e ministres Belinda Balluku në detyrë, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, tregoi edhe një episod, ku sipas tij, punonjësit e Byrosë Kombëtare të Hetimit shkuan te Kryeministria dhe nuk pranonin ta dorëzonin pistoletën sipas rregullores.

Shefi i ekzekutivit shtoi se ka ardhur koha e një reflektimi serioz, profesional dhe ndërinstitucional, për ta çuar drejtësinë drejt standardeve europiane.

“Nuk do ta ndjek kurrsesi logjikën e mbrapshtë të dënimit me indicie, as në këtë rast, por do të mbetem tek bindja se këto dy indicie tejet shqetësuese nuk provojnë se protagonistëve të pavarësisë së drejtësisë u ka marrë koka erë dhe u është mbushur mendja se ata janë shteti, ligji e drejtësia, si puna e ca trimoshave të BKH-së, për të cilët kam dëgjuar shumë çudira, por kishin ardhur një ditë në godinën e Këshillit të Ministrave dhe nuk donin ta linin patllaken tek dera sipas rregullores së sigurisë së lartë, të Gardës së Republikës.

Pra, nuk dua kurrsesi të them se ferrat e mendësive e sëmundjeve të vjetra, e kanë marrë uratën e drejtësisë së re, por dua të ndaj me të gjithë  bindjen se ka ardhur koha e një reflektimi serioz, profesional dhe ndër-institucional, për të ndarë beben e sapolindur nga ujërat e pistë, në një proces historik, ku duhet të garantojmë medoemos suksesin e Reformës në Drejtësi, duhet të garantojmë  pavarësinë e gjyqësorit, ku po ashtu, nuk mundet kurrësesi të lejojmë medoemos që kura të bëhet problem më i madh se sëmundja, duke rrezikuar liritë, të drejtat dhe frymëmarrjen e administratës e të ekonomisë së vendit”, tha Rama në podkastin e tij ‘Flasim’.

Pas deklaratës së kryeministrit Rama, ka ardhur edhe reagimi i Byrosë Kombëtare të Hetimit.

BKH thekson se më datë 20 nëntor, tre hetues të këtij institucioni janë paraqitur në ambientet e Kryeministrisë për ekzekutimin e vendimit të marrë nga GJKKO, për pezullimin nga detyra të numrit dy të qeverisë.

Sipas BKH-së, pasi hetuesit janë informuar nga Garda e Republikës se sipas rregullave në fuqi, nuk lejohet hyrja me armë zjarri në ambientet e brendshme të Kryeministrisë, njëri prej hetuesve ka kërkuar sqarim mbi mënyrën dhe vendin e depozitimit të armëve.

“Pas verifikimit se ambienti i depozitimit ishte i sigurt dhe i monitoruar me kamera, hetuesit kanë depozituar armët dhe kanë vijuar normalisht me kryerjen e veprimeve procedurale”, thotë BKH.

Sipas Byrosë Kombëtare të Hetimit, e drejta e hetuesve të BKH-së për mbajtjen e armës së zjarrit mbështet në ligj dhe nuk ka pasur asnjë shkelje në këtë rast prej tyre.

Reagimi i plotë i Byrosë Kombëtare të Hetimit:

Më datë 20 nëntor 2025, tre hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) janë paraqitur në ambientet e Këshillit të Ministrave për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme së Shkallës së Parë, nr. 118, datë 19.11.2025, përmes të cilit është vendosur masa e pezullimit nga ushtrimi i detyrës ndaj Zëvendëskryeministres, znj. Belinda Balluku.

Në hyrjen e brendshme të Këshillit të Ministrave, hetuesit janë informuar nga Garda e Republikës se sipas rregullave në fuqi, nuk lejohet hyrja me armë zjarri në ambientet e brendshme të institucionit. Njëri prej hetuesve ka kërkuar sqarim mbi mënyrën dhe vendin e depozitimit të armëve. Garda e Republikës i ka orientuar që armët të liheshin në dollapët e posaçëm të sigurisë, në hyrje të institucionit.

Pas verifikimit se ambienti i depozitimit ishte i sigurt dhe i monitoruar me kamera, hetuesit kanë depozituar armët dhe kanë vijuar normalisht me kryerjen e veprimeve procedurale.

Theksojmë se në asnjë moment nuk ka pasur debat apo përplasje mes hetuesve të BKH-së dhe Gardës së Republikës.

E drejta e hetuesve të BKH-së për mbajtjen e armës së zjarrit mbështet tek ligji nr. 25/2019 “Për organizimin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore”, ku neni 31, pika 3, parashikon shprehimisht se oficerët e Policisë Gjyqësore, përfshirë ata të Byrosë Kombëtare të Hetimit, pajisen me armë zjarri sipas legjislacionit në fuqi për përdorimin e tyre.


Video