Një masiv i madh gurësh dhe dheu ka rrëshqitur nga mali duke bllokuar totalisht prej orës 11:00 aksin rrugor Librazhd–Qafë Thanë, në zonën e njohur si Kthesa e Dragostunjës.
Kreu i ARRSH-së, Ami Kozeli në një intervistë tha se ekipet po vijojnë punën për hapjen fillimisht të njërit aks pas rrëshqitjeve të dherave në aksin Librazhd-Qafë Thanë, paraditen e sotme.
Sipas Kozelit, shembja është një fenomen natyror, i shkaktuar nga mbingopja e malit me ujë, dhe nuk lidhet me punimet që po kryhen në këtë segment rrugor.
Ai theksoi se, pavarësisht se trasa e re kalon mbi malin ku ndodhi rrëshqitja dhe mjetet e rënda janë çdo ditë në terren, ndërhyrjet nuk kanë ndikuar në destabilizimin e masivit shkëmbor.
“Kemi konstatuar edhe me sy të lirë se mali është i mbingopur nga uji, çka ka sjellë shembjen e shpatit. Nuk ka asnjë lidhje me punimet që po kryhen në këtë segment,” deklaroi drejtori i ARRSH, duke iu përgjigjur shqetësimeve të ngritura nga qytetarët dhe mediat.
Kujtojmë se, rruga është mbyllur në të dyja drejtimet, duke bërë të pamundur qarkullimin e mjeteve dhe shkaktuar trafik kilometrik prej 10 kilometrash, në të dyja anët.
Bllokimi i rrugës ka prekur edhe një auto-ambulancë e cila po transportonte një grua të sëmurë, që po dërgohej drejt Spitalit të Elbasanit.
Situata ka detyruar transportimin e saj me barrelë për të kaluar përmes lumit nga ana tjetër e rrugës, që siç tregojnë pamjet është bllokuar plotësisht nga masive të mëdha shkëmborë.