Babë e bir tentojnë të vrasin 58-vjeçarin me sëpatë në Fier

25 May 2025, 10:15Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Babë e bir tentojnë të vrasin 58-vjeçarin me
Foto ilustruese

Një person u arrestua dhe një tjetër u shpall në kërkim pasi tentuan të vrisnin një 58-vjeçar me sëpatë.

Ngjarja u regjistrua të shtunën në fshatin Shtyllas të Fierit.

Autorët janë babë e bir, 63 dhe 40 vjeç. Policia njoftoi se kanë arrestuar babain ndërsa vijon të jetë në kërkim djali 40-vjeçar.

Sa i përket të plagosurit, ai ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.

Çfarë ndodhi?

Paraditen e së shtunës, uniformat blu morën një njoftim se në fshatin Shtyllas është plagosur një person me mjet prerës.

“Menjëherë pas njoftimit të marrë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier kanë shkuar në vendngjarje dhe falë reagimit në kohë kapën dhe shoqëruan një nga autorët e dyshuar”, njoftoi policia.

63-vjeçari akuzohet për vrasje me paramendim, e kryer në bashkëpunim dhe e mbetur në tentativë.

Ndërkohë policia tha se “po punohet intensivisht për kapjen e djalit të tij, shtetasit N. P., 40 vjeç”.

Autoritetet sekuestruan në cilësinë e provës materiale sëpatën me të cilën autorët goditën 58-vjeçarin.

Paraprakisht dyshohet se shkak i kësaj ngjarjeve të jetë bërë një konflikt për motive të dobëta.


Video