PS nuk pranon formulën e PD-së për Avokatin e Popullit! Endri Shabani pritet të marrë votat e socialistëve

3 Dhjetor 2025, 11:27Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Endri Shabani

Burime për Vox News bëjnë të ditur se PS nuk do të pranojë formulën e propozuar një ditë më parë nga Gazment Bardhi, sipas së cilës opozita do t’i propozonte mazhorancës gjashtë kandidatë dhe kjo e fundit do të përzgjidhte tre, prej të cilëve opozita do të zgjidhte një emër për t’ia paraqitur seancës plenare.

Sipas burimeve, mazhoranca socialiste pritet të çojë për votim në seancën parlamentare të gjithë listën e kandidatëve që kanë siguruar të paktën 28 firma mbështetëse, duke mos u kufizuar vetëm te një kandidaturë, siç kërkon PD.

Po ashtu, mësohet se PS do të mbështesë kandidaturën e Endri Shabanit, i cili ka marrë firma nga të gjithë deputetët e grupit të PD-së, me përjashtim të Sali Berishës dhe Flamur Nokës.

Zgjedhja e Avokatit të Popullit pritet të futet në rend dite në seancën e 11 dhjetorit, kur Kuvendi do të shqyrtojë nen për nen buxhetin e vitit 2026.

Deri tani, demokratët kanë firmosur disa kandidatura, si Jola Hysi, Adriana Kalaja, Endri Shabani, Besim Ndregjoni, Sajmir Visha, Tartar Bazaj, Dardan Mustafa dhe Shkëlqim Sulo.

Mandati i Avokates së Popullit, Erinda Ballanca, ka përfunduar në maj 2022, por ajo ka vijuar detyrën për më shumë se tre vjet në pritje të pasardhësit. Edhe në legjislaturën e kaluar, ka pasur disa tentativa për gjetjen e një emri konsensual mes PS-së dhe PD-së, të cilat nuk sollën rezultat, për shkak të nevojës për 84 vota dhe traditës që ky post t’i besohej një kandidati të propozuar nga opozita.

 


Video