Ambasadori i Shqipërisë në Austri Fate Velaj ka qenë i ftuar ditën e sotme në një takim me Drejtorin e i Përgjithshëm për Agjendat Evropiane dhe Ndërkombëtare, Clemens Mayr-Harting në ambientet e Kryeministrisë Federale të Austrisë.
Takimi është njoftuar nga vetë ambasadori ynë përmes një postimi në Facebook.
“Gjatë bisedës, u ndalëm në hapat që Shqipëria ka ndërmarrë në drejtim të integrimit të plotë në Bashkimin Evropian, si dhe në angazhimet konkrete për përmbushjen e të gjitha kritereve që do të mundësojnë anëtarësimin e saj të plotë në familjen evropiane”, shkruan Velaj mes të tjerash.
Postimi i plotë
Sot më 10 Prill 2025, në ambientet e Bundeskanzleramt, Kryeministria Federale e Austrisë në Vjenë, isha i ftuar një takim nga z. Clemens Mayr-Harting, Drejtor i Përgjithshëm për Agjendat Evropiane dhe Ndërkombëtare.
Gjatë bisedës, u ndalëm në hapat që Shqipëria ka ndërmarrë në drejtim të integrimit të plotë në Bashkimin Evropian, si dhe në angazhimet konkrete për përmbushjen e të gjitha kritereve që do të mundësojnë anëtarësimin e saj të plotë në familjen evropiane.
Në këtë kontekst, theksova rëndësinë e një angazhimi edhe më të fuqishëm nga ana e Austrisë në mbështetje të Shqipërisë, përfshirë promovimin e agjendave të investimeve në sektorë strategjikë të ekonomisë, sigurisë, mjedisit dhe turizmit. Theksova gjithashtu se nisma “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, e iniciuar nga qeveria austriake, duhet të luajë një rol drejtues brenda Bashkimit Evropian.
Nga ana e tij, z. Mayr-Harting vlerësoi progresin e Shqipërisë në përmbushjen e kritereve dhe zbatimin e reformave, duke theksuar se mbështetja austriake do të vijojë fuqishëm, pasi Austria mbetet shumë e interesuar ta shohë Shqipërinë pjesë të BE-së brenda vitit 2030.