'Fshehën hetimet'/ Adriatik Doçi: Arben Ahmetaj u pagua nga inceneratorët

9 Dhjetor 2022, 15:22Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Gazetari Adriatik Doçi u paraqit sot në Prokurorinë e Posaçme Anti-Korrupsion për të depozituar një kallëzim penal, ndaj dy prokurorëve Klodian Braho dhe Ened Nakuçi si dhe ndaj ish zv.Kryeministrit Arben Ahmetaj.

Kallëzimi ka të bëjë me hetimet për inceneratorin e Elbasanit, ku sipas gazetarit Doçi, dy prokurorët e SPAK kanë fshehur provat dhe kanë devijuar qëllimisht hetimet për të mos çuar përpara drejtësisë zyrtarin e lartë socialist dhe një nga firmëtarët e inceneratorit, Ahmetaj.

Në fashikullin e kallëzimit prej 26 faqesh, Doçi paraqet prova sesi shtetasi Klodian Zoto, i shpallur në kërkim nga këta dy prokurorë, ka përdorur kartën e tij bankare për të paguar udhëtimet ndaj Arben Ahmetajt dhe bashkëshortes së tij Erjola Hoxhës, në hotele të ndryshme të Europës.

Këto prova janë gjetur në kompjuterin e sekuestruar të Klodian Zotos, ku nëpërmjet emaileve janë evidentuar rezervime hotelesh, kryesisht në suita për Ahmetajn, për të cilat gazetari thotë se janë shpenzuar mijëra euro.

Sipas Doçit, prokurorët Braho dhe Nakuçi, kanë trajtuar me dy standarde provat e siguruara nga e-mailet që kanë gjetur te kompjuterët dhe telefoni i Klodian Zotos në çështjen që lidhet me inceneratorin e Elbasanit.

Në dosjen e dorëzuar në Prokurorinë e Posaçme nga gazetari thuhet se dy prokurorët kanë administruar si prova e-mailet e Klodian Zotos me Lefter Kokën dhe personat e tjerë të përfshirë nën hetim, por jo mesazhet dhe emailet e shkëmbyera mes Zotos dhe hoteleve për rezervimin e suitave për ish-zv.Kryeministrin Arben Ahmetaj.

Nga Prokuroria e Posaçme KundërKorrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me vendim të datës 14.12.2021, na janë dërguar ndër të tjera:

Një njësi qendrore Kompjuterike e markës “THERMALTAKE” me kod hapje“Zotofamily”. Në Kompjuterin (Njësi Qendrore) e sipërcituar, konstatohet i instaluar dhe konfiguruar programi Microsoft Outlook, ku janë konstatuar të dhënat (emaile) për disa llogari emaili: [email protected],[email protected] e të tjerë.

Kallëzimi pretendon se mospërfshirja e Ahmetajt në hetime ka qenë e qëllimshme dhe akuzon dy prokurorët Klodian Braho dhe EnedNakuçi për shpërdorim detyre dhe veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës.

Kallëzimi kërkon nga gjykata që ndaj dy prokurorëve të caktohet masa e sigurisë arrest me burg për shkak të rrezikshmërisë që paraqesin për prishjen e provave.

Udhëtimet e Arben Ahmetajt – Nga Milano, Vjenë e deri në Bukuresht, si u paguan me kartën e bankës së Zotos. Kallëzimi i gazetarit Doçi, në ditën ndërkombëtare kundër korrupsionit, është një tregues i fortë i korrupsionit në nivele të larta të qeverisë, që ka tronditur jo pak opinionin publik.

Në provat e siguruara nga gazetari Doçi vërehen disa emaile që shtetasi në kërkim Klodian Zoto, i ka kërkuar hoteleve me 5 yje, rezervime për ish Ministrin e Financave Arben Ahmetaj dhe bashkëshorten e tij Erjola Hoxha.

Prova e parë e dorëzuar nga gazetari është një email ku hoteli luksoz në Vienë “Starlight suiten hotel renngasse” ka konfirmuar pagesën e Klodian Zotos në vitin 2013 për qëndrimin e Arben Ahmetajt. Bashkangjitur provave është dhe karta e kreditit e shtetasit Klodian Zoto.

Një tjetër rezervim është ai në Hotel Principe di Savoia, në Milano. Sipas emaileve të Zotos, ai ka rezervuar një dhomë Ambasador Suit për shtetasin Mirel Mërtirin, por në fakt i ftuar ka qenë ish Ministri Arben Ahmetaj. Për këtë rezervim në një nga hotelet më të mira të Milanos, Zoto ka paguar për Ahmetajn 1600 euro për 2 netë qëndrimi.

Në provën e tretë e paraqitur në kallëzimin e SPAK, është një tjetër email ku Zoto paguan një faturë në shtator të 2016 në Mandarine Oriental Hotel, sërish në Milano, por kësaj here për gruan e Arben Ahmetajt, znj. Erjola Hoxha. Nuk dihet sesa është pagesa e kryer për znj. Hoxha, por vetëm një natë qëndrimi në këtë hotel nis nga 1500 euro deri në 8000 euro për Suitën. Në provën e katërt, është rezervimi i një hoteli sërish me 5 yje në Vjenë, tek Hotel Sans Souci Vienna, ku Zoto ka paguar vetëm për dy netë rreth 1180 euro.

Të njëjta rrjedhje të emaileve të Zotos vijnë dhe për dy rezervime të tjera, ku i pari është për Grand Hotel Mariott në Bukuresht, dhe tjetri në Hotel Hermitage në Monte Carlo. Për rezervimin e parë Zoto ka paguar një Dhomë Matrimoniale për Arben Ahmetajn, në korrik të 2017 me vlerë 1767 euro.

Udhëtimet përkojnë me datat para dhe pas dhënies së koncesionit të inceneratorit të Elbasanit, duke ngritur dyshime për korrupsion ndaj ish Ministrit të Financave./TopChannel

Video