A iu tregoi pse e goditi Berishën? Flet avokati i Gert Shehut

9 Dhjetor 2022, 14:23Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Avokati Ervis Lila dhe Gert Shehu

Gjykata e Tiranës ka caktuar ditën e sotme masën e sigurisë arrest në burg për Gert Shehun, 31-vjeçarin që goditi me grusht kryedemokartin Sali Berisha në protestën e opozitës më 6 dhjetor.

Avokati mbrojtës i tij, Ervis Lila, kërkoi masë më të butë sigurie si arrest në shtëpi ose shtrim të detyruar në spital, por nuk u pranua nga gjykata.

Në një prononcim për mediat, avokati mbrojtës i Shehut ka deklaruar se kanë paraqitur një kërkesë që të bëhet një akt-ekspertimi më i zgjeruar që të përcaktohet gjendja shëndetësore e 31-vjeçarit.

Avokati u pyet nga gazetarët nëse Shehu i ka treguar arsyen se përse ai goditi Berishën. Lila u shpreh se Shehu flet me fragmente dhe bën deklarime të ndryshme.

“Ai flet fragmente, deklarime të ndryshme. Nuk pata komunikim që të krijoj, pse u bë. Më shumë jemi të përqendruar në këtë pjesë, te akti i ekspertimit, për të caktuar, që të dimë thëniet e tij, se sa janë për bazë. Jo, edhe aty në seancë ia kërkuam prokurorit, por jemi përqendruar te akti i ekspertimit.

Nuk pati asnjë lloj të pjesës së dinamikës, vetëm tha që u bë goditja, fakti i njohur, por pjesa e shkakut pse u bë kërkon hetime. Personi vazhdon në Spitalin e Traumës, atë do ta përcaktojnë mjekët sa ka dhe si i ka këto dëmtime. Akti i ekspertimit psikiatrik do të jetë shumë përcaktues, ne e kemi kërkuar të zgjeruar, të përfshihen edhe profesorë të tjerë, ajo do përcaktonte të gjitha shkakun”, theksoi ai.

Gerti Shehu ndodhet në spital, ku dhe iu komunikua masa e sigurisë pasi u godit fizikisht nga militantët dhe truprojat e Berishës pas goditjes ndaj ish-kryeministrit.

Video