Përveç thirrjeve dhe fjalimeve, protesta e zhvilluar në Tiranë u shoqërua edhe nga një numër i madh pankartash me mesazhe kritike ndaj qeverisë dhe kryeministrit, Edi Rama.
Qytetarët zgjodhën të shprehin pakënaqësitë e tyre përmes parullave që trajtonin tema të ndryshme, nga korrupsioni dhe pronat publike deri te mbrojtja e natyrës dhe aktivizmi qytetar.
Mes pankartave që tërhoqën vëmendjen ishte ajo me mbishkrimin: “Shqipërinë e mori Rama, i vu zjarr. Shqiptar mos rri, por duku shqiptar”.
Një tjetër mesazh vinte theksin te mbrojtja e mjedisit, ku shkruhej: “Një komb që shet natyrën, shet të ardhmen”.
Në protestë nuk munguan as mesazhet që bënin thirrje për unitet. “Kur jemi të bashkuar, bëhemi më të fortë. Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve”, lexohej në një prej pankartave të mbajtura nga protestuesit.
Ndërkohë, një nga parullat më ironike të protestës ishte ajo drejtuar kryeministrit Rama, ku shkruhej: “5 mijë euro kushtojnë dy cica, ti jep me 1 euro m² e tokës”.
Me pankarta në duar dhe thirrje kundër qeverisë, protestuesit paralajmëruan se tubimet do të vijojnë edhe në ditët në vijim, duke përsëritur sloganin: “Nesër më shumë!”.