
Janë 30 llogari të hapura nga shtetas shqiptarë që kanë rrjedhur nga skandali i të dhënave të “Credit Suisse.
Shifra është dhënë nga Lorenco Romagnoli, gazetar i medias italiane, IRPI Media, pjesë e konsorciumit të rrjetit të gazetarëve investigativë globalë.
Ai tha në një intervistë për “Top News” se lista mund të përmbajë biznesmenë e politikanë, por nuk dha më shumë informacione në lidhje me këtë.
Janë rreth 30 mijë llogari bankare që kanë rrjedhur nga banka zvicerane “Credit Suisse”, që sipas mediave ndërkombëtare zbulojnë imoralitetin e të famshmit sekret bankar në Zvicër.
Mes personave që u kanë dalë llogaritë janë politikanë, biznesmenë, kriminelë, trafikantë, punonjës të shërbimeve sekrete, e deri edhe vrasës.
Mbreti Abdullah i Jordanisë, ish-Presidenti armen i dorëhequr në janar janë dy emrat kryesorë që janë mësuar deri më tani nga politika.
Sa u takon vendeve, llogaritë janë regjistruar nga shtetas kryesisht të vendeve në zhvillim, ku dominon Venezuela e Ukraina me mbi 2 mijë llogari, ndjekur nga Tajlanda dhe Egjipti me mbi 1 mijë të tilla.