Veliaj kërkon miratimin e 1500 fituesve të kredive të buta më 29 tetor

27 October 2026, 13:41Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Veliaj kërkon miratimin e 1500 fituesve të kredive të buta
Erion Veliaj

Pavarësisht izolimit dhe vështirësive për të zhvilluar takime pune me stafin e bashkisë, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, kërkon që më 29 tetor Këshilli Bashkiak të miratojë listën e plotë të 1500 familjeve fituese të programit të kredive të buta për blerjen e një banese.

Një ditë pas shpalljes së fituesve nga Bashkia e Tiranës, Veliaj ka ndarë një mesazh në Instagram, ku shpreh kënaqësinë për familjet që janë përzgjedhur në këtë program, por njëkohësisht flet edhe për pengesat që, sipas tij, po has në ushtrimin e detyrës.

“Pavarësisht përndjekjes, izolimit dhe refuzimit të çdo takimi pune me stafin e bashkisë, çka ma vështirëson së tepërmi detyrën për t’i shërbyer si duhet qytetarëve që më kanë votuar, më vjen mirë që këtë javë bëjmë realitet ëndrrën e 1500 familjeve, të cilat janë shpallur fituese nga programi i kredisë së butë!”, shkruan Veliaj.

Kryebashkiaku bën të ditur se i ka propozuar Këshillit Bashkiak që në mbledhjen e 29 tetorit të miratojë të plotë listën, në mënyrë që familjet fituese të vijojnë procedurat për blerjen e banesave.

“I kam propozuar Këshillit Bashkiak të Tiranës që, në mbledhjen e 29 tetorit, ta miratojë të plotë listën, që këto familje të përballojnë blerjen e një shtëpie të re. E marr me mend gëzimin e tyre, ndaj edhe i uroj nga zemra”, shprehet ai.

Bashkia e Tiranës shpalli dje rreth 1500 fituesit e programit për subvencionimin e interesave të kredive, i cili synon të ndihmojë familjet me të ardhura të ulëta të blejnë një banesë në kryeqytet.

Lista e fituesve duhet të marrë fillimisht miratimin e Këshillit Bashkiak. Më pas, përfituesit duhet të paraqiten pranë bankave me të cilat Bashkia e Tiranës ka lidhur marrëveshje, për të vijuar procedurat e marrjes së kredisë së butë.

Programi parashikon subvencionimin e interesave të kredisë, me një normë interesi prej 3%, ndërsa vlera që përfiton çdo aplikues përcaktohet sipas numrit të anëtarëve të familjes dhe kritereve të programit.

 


Video