Tani është zyrtare, Fernando Santos nuk është më trajner i kombëtares portugeze. Federata Portugeze e Futbollit zyrtarizoi largimin e trajnerit pas tetë vitesh në detyrë.
Humbja me Marokun në çerekfinale të Kupës së Botës në Katar “vulosi” të ardhmen e Santosit, edhe pse kishte kontratë deri në vitin 2024. Por edhe lënia në stol e Cristiano Ronaldos la shumë ekspertë dhe tifozë të habitur për vendimin.
Deklarata e FPF-së:
“Federata Portugeze e Futbollit dhe Fernando Santos kanë rënë dakord t’i japin fund rrugëtimit shumë të suksesshëm që filloi në shtator 2014.
Pas një prej pjesëmarrjeve më të mira ndonjëherë nga Kombëtarja në fazat finale të Kampionatit Botëror, në Katar, FPF dhe Fernando Santos kanë kuptuar se është koha e duhur për të nisur një cikël të ri.
Me Fernando Santos në krye të Kombëtares, vendi ynë fitoi për herë të parë dy kompeticionet ndërkombëtare: Euro 2016, në Francë, dhe Ligën e Kombeve, në vitin 2019.
Përveç titujve të fituar, Fernando Santos u bë trajneri me më shumë ndeshje dhe më shumë fitore.
FPF falënderon Fernando Santosin dhe ekipin e tij teknik për angazhimin gjatë tetë viteve unike dhe beson se ky falënderim bëhet edhe në emër të popullit portugez.
Bordi i FPF-së tani do të fillojë procesin e zgjedhjes së trajnerit të ardhshëm kombëtar.”