
Tyson Fury ka mbrojtur titullin kampion të peshave të rënda për WBC duke hedhur në tapet rivalin e tij, Dilan White në raundin e 6 në një ndeshje spektakolare në Uembli.
Dy boksierët britanikë përballeshin përpara 94 mijë tifozëve të pranishëm në arenën e improvizuar në stadiumin legjendar ndërsa ishte Fury ai që e nisi shumë më mirë sfidën. Ai kontrolloi kundërshtarin dhe herë pas herë i jepte goditje, duke krijuar një avantazh pikësh.
Në momentin kur Uajt vendosi t’i afrohej, Fury i lëshoi një goditje të fortë nga poshtë në nofull, duke e hedhur në tapet kundërshtarin. Kjo bëri që gjyqtari të ndërpriste sfidën dhe të deklaronte fitoren e Fury.
Kështu, ai çoi bilancin e tij të ndeshjeve në 32 fitore e 1 barazim, duke qenë i pamposhtur për peshat e rënda. Një arritje e jashtëzakonshme për boksierin britanik që është ndeshur dhe ka mposhtur disa nga emra më të njohur të boksit botëror.
Pas ndeshjes, britaniku Fury dha lajmin e keq, teksa deklaroi se kjo mund të ishte ndeshja e fundit për të në ring.
Fury nuk ka qenë i prerë në përgjigjen e tij, por ai ka përmendur premtimin e dhënë ndaj gruas së tij Paris përpara trilogjisë me Deontay Wilder. ‘The Gypsy King’ u shpreh se ua kishte borxh qytetarëve të Britanisë së Madhe një meç në Wembley, por se gjithashtu kjo mund të ishte hera e fundit që ai zbret në ring.
Fury tha: E dini. I kam premtuar gruas time Paris që pas trilogjisë me Wilder, do të përfundojë. Pata një trilogji të mirë, një luftë të mirë. Ju e dini, pata një mundësi që luftoj në Wembley, mendoj se e kam merituar, iu jam detyruar fansave dhe çdo njeriu në Britani të Madhe të luftoj në Wembley. Tani është e kryer. Mendoj se kjo ishte e gjitha. Kjo mund të jetë ndeshja e fundit për GYPSY KING”. Mbetet të shihet nëse Fury do e marrë vërtet këtë vendim drastik për karrierën e tij, apo do vazhdojë ende. Nga ana tjetër, adhuruesit dhe ekspertët e boksit mendojnë se ndeshja e fundit e Furyt do të jetë kundër Oleksander Osyk ose Anthony Joshua.