Tifo grupi më i madh i tifozëve të kombëtares shqiptare të futbollit, Tifozat Kuq e Zi, kanë reaguar pas lajmeve se në stadiumin “Air Albania” është ndaluar kënga “Mora Fjalë”.
Kjo këngë spontanisht u bë “himn” për vetë tifozët shqiptarë që e këndonin gjatë ndeshjes së Shqipërisë, kryesisht në Ligën e Kombeve, teksa duket se së fundmi nuk po këndohet më, ashtu siç edhe ka ndodhur me këngë të tjera të shumta patriotike që nga “Xhamadani Vja Vija” e deri te “Kuq e Zi je ti”.
Tifozat Kuq e Zi thonë se reagimet në media që pretendojnë se janë prej këtij grupimi, nuk i përfaqësojnë ata, pasi grupimi vetë nuk ka reaguar zyrtarisht deri tani.
Reagimi i plotë:
Njoftim Zyrtar nga Tifozat Kuq e Zi
Dëshirojmë të sqarojmë situatën lidhur me daljet në media dhe intervistat e dhëna në emër të tifogrupit tonë. Njoftojmë se Tifozat Kuq e Zi nuk kanë një “Grup Kryesie”, siç pretendojnë disa persona të paautorizuar që janë shfaqur në media dhe televizione të ndryshme.
Ju bëjmë me dije se të gjitha kërkesat për pjesëmarrje në media duhet të dërgohen në adresën zyrtare të emailit: [email protected]. Grupi shqyrton këto kërkesa dhe vendos për përfaqësimin dhe përfaqësuesit zyrtarë në media.
Çdo dalje tjetër në media pa njoftim ose miratim zyrtar nga Tifozat Kuq e Zi do të konsiderohet si qëndrim personal dhe jo si përfaqësim i grupimit tonë.
Lidhur me debatin mbi ndalimin e këngëve apo thirrjeve tona, dëshirojmë të theksojmë se për 21 vite askush nuk ka mundur të na imponojë asgjë, dhe kjo nuk do të ndryshojë. Do të vazhdojmë t’i këndojmë Shqipërisë me zemër e pasion deri në frymën tonë të fundit.
Tifozat Kuq e Zi
O sa mirë me qenë Shqiptar!