Dusan Vlahovic do të largohet nga Juventusi. Sulmuesi serb, i cili u largua nga “Continassa” rreth mesditës, nuk do ta rinovojë kontratën me bardhezinjtë, që skadon më 30 qershor. Arritja e një marrëveshjeje ishte e vështirë, pasi Vlahovic kërkon 8 milionë euro në sezon dhe komisione të kripura në firmën e rinovimit, ndërsa Juventusi nuk dëshironte t’i ofronte një shifër të tillë, duke i ofruar 6 milionë euro plus bonuse, por pa komisione të ekzagjeruara. Dhe negociatat janë ndërprerë përfundimisht.
Tashmë emri i sulmuesit gjendet në listat e shumë klubeve europiane, duke nisur nga Napoli, ku do të ribashkohej me Allegrin, deri te Bayern Munich, Chelsea, Barcelona dhe Newcastle. Të gjitha këto skuadra janë të gatshme të përmirësojnë ofertat e tyre dhe të plotësojnë kërkesat financiare të ish-numrit 9 të Juventusit. Megjithatë, pista që të çon te Napoli mbetet e komplikuar.
Edhe në këtë rast, Vlahovic do të duhet të bëjë sakrifica ekonomike, pasi kërkesa prej 8 milionë eurosh konsiderohet shumë e lartë edhe për klubin napolitan. Për këtë arsye, një transferim jashtë Italisë duket gjithnjë e më i mundshëm. Në fund të fundit, një lojtar si Vlahovic, që largohet me parametër zero, përbën mundësi të mirë për këdo.